Trajneri suedez, Sven-Goran Eriksson ka zbuluar se është diagnostifikuar me kancer dhe se i ka mbetur afërsisht një vit jetë.
Eriksson së fundmi ishte drejtor sportiv në klubin suedez, Karlstad, ndërsa ishte larguar 11 muaj më parë për shkaqe shëndetësore.
“Të gjithë mund ta shohin se e kam një sëmundje jo të mirë dhe të gjithë supozojnë se është kancer, dhe ashtu është. Por, më duhet të luftoj sa më gjatë të jetë e mundur”, theksoi ish-selektori i Anglisë.
“E di se në rastin më të mirë do të zgjasë një vit, në rastin më të keq, edhe më pak. Ose në rastin më të mirë, ndoshta edhe më gjatë… Nuk mendoj se doktorët që i kam, mund të jenë totalisht të sigurt, ata nuk mund ta vendosin ditën e saktë për këtë.”
“Është më mirë të mos mendoj për këtë. Duhesh ta mashtrosh trurin. Unë mund të shkoj duke menduar gjatë tërë kohës dhe të ulem në shtëpi dhe të jem në gjendje të mjerë, duke menduar se jam i pafat.”
“Është e lehtë të përfundosh në atë pozicion. Por jo, duhet ta shoh anën pozitive të gjërave dhe të mos e varros veten me pengesa, sepse kjo është sigurisht pengesa më e madhe e të gjithave.”
“Thjesht erdhi nga hiçi dhe kjo të shokon. Unë nuk kam ndonjë dhimbje të madhe. Por, jam diagnostifikuar me një sëmundje që mund të cilën mund ta ngadalësosh, por nuk mund ta operosh. Kështu që, kjo është si është”, përfundoi Eriksson.