Pasi pranoi një top në zonën e 16-metërshit të ekipit kundërshtar, Edi Sylisufaj u lirua nga tre futbollistë dhe me gjuajtje të fortë shënoi gol në barazimin e Falkenbergsit ndaj Norrkopingut me rezultatin 3:3.
Për sulmuesin 20-vjeçar ishte goli i radhës i bukur i shënuar dhe i katërti në tetë ndeshje të këtij edicioni në elitën e futbollit të Suedisë.
Futbollisti nga Mitrovica është i kënaqur me formën që po kalon në Suedi.
“Jam shumë i kënaqur për golin e radhës. E kemi një ekip të mirë dhe më përshtatet shumë. Falë punës sime dhe ndihmës së lojtarëve të tjerë po arrij të realizoj gola. Jam specialist kur është fjala për gola. Shpresoj që deri në fund të këtij edicioni të shënoj 10-15 gola. Kam pasur besim se do të kem një start të mirë, por pa ndihmën e nënës time nuk kisha luajtur kaq mirë. Ajo më mbështet shumë”, ka thënë Sylisufaj të dielën mbrëma për KOHËN.
Sylisufaj në elitën e futbollit suedez ka debutuar në vitin 2016. U bë lojtari i parë i lindur në vitin 2000 që luajti në “Allsvenskan”. Që atëherë, sulmuesi i Falkenbergut ka punuar shumë për të shpërthyer.
“Unë jam rritur si njeri. Kam bërë hapa të mëdhenj dhe jam bërë futbollist i mirë. Kam fituar shumë vetëbesim dhe synimet e mia janë të mëdha për të ardhmen”, është shprehur Sylisufaj.
Sulmuesi synon në një të ardhme të afërt të luajë për ndonjë skuadër elitare të Italisë.
“Kampionati i Italisë është ëndrra ime dhe shpresoj që në një të ardhme të afërt do ta arrij”, ka theksuar sulmuesi që me Falkenbergsin ka kontratë deri në vitin 2022.
Sylisufaj ka tri paraqitje me U-17 e Suedisë që nga viti 2017. Por menaxheri i përfaqësueses U-21 të Kosovës, Zgjim Sojeva, pati deklaruar se ai bashkë me bashkëlojtarin e tij Lorik Ademi, janë në proces të rregullimit të dokumentacionit dhe se Kosovës do t’i bashkohen për garat kualifikuese të vitit 2021.
Megjithatë, Sylisufaj thotë se ende është i pavendosur.
“Ende nuk kam luajtur për Kosovën, por do ta shohim se çka do të bëhet. Duhet të bisedoj me familjen. Kosova është shumë interesante për mua, por ta shohim”, ka thënë Sylisufaj.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.