Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, ishte të martën në Lushnjë në një aktivitet që nuk kishte të bënte me futbollin. Në fakt, kreu i stafit teknik të përfaqësueses kuqezi ishte për të kryer të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për t’u bërë qytetar i Lushnjës, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Bashkisë, Eriselda Sefa, dhe Drejtuesi Politik i PS-së për Qarkun Fier e njëkohësisht Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Në fjalën e tij të shkurtër, Sylvinho tha se ndihet i nderuar prej popullit shqiptar, por nuk nguroi të fliste edhe për eventin e madh të Euro 2024, ku Shqipëria do të jetë pjesë.
”Është një nder për mua dhe stafin tim që të jem këtu. Duhet të falënderoj me të vërtetë popullin shqiptar, që ka besuar tek e gjithë puna jonë. Falënderoj shumë edhe Federatën Shqiptare të Futbollit dhe gjithë vendin. Jemi me të vërtetë të kënaqur, kemi bërë një punë të mirë të gjithë, së bashku. Por pas pak kohesh kemi një sfidë akoma më të rëndësishme. Faleminderit të gjithëve,”përfundoi Sylvinho.
Trajneri Sylvinho dhe pjesëtarët e stafit të tij bënë aplikimet e tyre e nevojshme për pasaportën shqiptare, shkruan SuperSport.
Braziliani u emërua në janarin e vitit të kaluar tek Shqipëria dhe ka arritur të përshtatet shumë shpejt me popullin shqiptar, duke u zhvendosur për të jetuar edhe në Tiranë.
Dashamirësinë ndaj shqiptarëve Sylvinho e ka shprehur shumë herë, por ky rasti ishte padyshim më i veçantë pasi 50-vjecari mori pasaportën, duke u bërë dhe trajneri i dytë i Shqipërisë pas De Biasit që bën diçka të tillë.
Sylvinho arriti ta kualifikonte Shqipërinë për të dytën herë në histori në Europian dhe në qershor të gjithë sytë do të jenë mbi ekipin kuqezi që ndodhet në të njëjtin grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.