Fjalë Kyçe

Tahir Batatina e kritikon ashpër Prishtinën

Tahir Batatina e kritikon ashpër Prishtinën

Tahir Batatina beson se Llapi do ta ketë përkrahjen e së paku 7-8 mijë tifozëve në derbi me Prishtinën të shtunën.

Ndërkohë, trajneri i Llapit e ka kritikuar klubin prishtinas për çmimin e lartë të biletave për këtë ndeshje

Tahir Batatina, trajner i Llapit, thotë se skuadra e tij do ta konsiderojë veten si në shtëpi në ndeshjen e së shtunës ndaj Prishtinës në kryeqytet.

Trajneri llapjan është mysafir në emisionin “Favorit” në T7, ku ka dhënë detaje rreth organizimit të klubit llapjan dhe tifozëve të tij për ndeshjen, të cilën ai e konsideron si më të rëndësishmen e sezonit.

“Jemi takuar me strukturat komunale dhe po mundohemi ta bëjmë një organizim sa më të mirë për këtë ndeshje. Interesimi i tifozëve llapjanë për të qenë të shtunën në stadium është shumë i madh. Pritet të jenë në stadium së paku 7-8 mijë tifozë llapjanë. Siç dihet, rreth 60 për qind e llapjanëve jetojnë në Prishtinë, qoftë për biznese apo për arsye tjera pasi jemi afër”, u shpreh Batatina.

Ndërkohë, ai e ka thumbuar klubin kryeqytetas për çmimin e lartë të biletave që e ka vendosur për këtë lojë, të cilat do të kushtojnë 3, 5 e 10 euro.

“Ajo që më brengos është çmimi i shtrenjtë i biletave, i vendosur nga organizatori i ndeshjes. Megjithatë, llapjanët për klubin e tyre nuk kursejnë asgjë dhe kjo nuk do të jetë pengesë për ta për të qenë të pranishëm fizikisht në lojë”, vazhdoi trajneri i llapjanëve.

Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Llapit do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 16:00.