Kurrë më parë në histori, Llapi nuk ka qenë më afër titullit të kampionit. Klubi nga Podujeva ka gjasa të barabarta me Prishtinën dhe Feronikelin, dy rivalët për trofeun e më të mirit.
Por, bazuar në ecurinë e dhjetë ndeshjeve të fundit, skuadra e Llapit ka tubuar më së shumti pikë dhe disa prej analistëve e shohin këtë ekip si favoritin kryesor, natyrisht duke u bazuar edhe në orar.
Megjithatë, ardhja në shprehje e Llapit ka ndodhur me rikthimin e Tahir Batatinës në stolin e trajnerit. Që nga ndeshja e parë në rikthim e deri më tash, Llapi i ka fituar të gjitha takimet.
Janë gjashtë fitore radhazi që Batatina ka arritur t’i sigurojë, duke bërë që Llapi të shpresojë.
Për më shumë, njeriu i momentin në Podujevë është pikërisht Batatina. Ai ka marrë përkrahjen e gjithë banorëve drejt këtij rrugëtimi.
Ndërkohë, tekniku llapjan sot pas fitores ndaj Dritës kishte një mesazh për ta.
“Dua t’u them tifozëve të mos presin lojëra të mira të Llapit në këto ndeshjet e fundit. Për mua me rëndësi është të shënojmë një gol dhe t’i marrim tri pikë. Ndërkohë, lojëra të mira ju garantoj në stadiumin e legjendës Fadil Vokrri, atëherë kur Llapi do të marrë pjesë në gara ndërkombëtare”, ishte mesazhi i Batatinës.
Llapi duelin e radhës e luan sërish në shtëpi ndaj Trepçës ’89.