Fjalë Kyçe

Tahiri akuzon Qeverinë se po e shkatërron shtresën e mesme

Tahiri akuzon Qeverinë se po e shkatërron shtresën e mesme

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë Kurti se po synon ta shkatërrojë shtresën e mesme të qytetarëve të Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, Tahiri ka dhënë tri veprime të Qeverisë për të cilat ka thënë se po e bëjnë të mendojë se po synohet shkatërrimi i kësaj shtrese.

Pikë të parë e ka përmendur shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Çmimin e rrymës e ngriti pikërisht në kurriz të kësaj shtrese, i liroi korporatat e mëdha nga ngritja e çmimit, ua subvencionoi ngritjen shtresës tjetër që nuk jetojnë në zonën urbane. Ndërkohë, koston e ngritjes po e paguajnë shtresa e mesme, që sot jetojnë me nga një pagë të nivelit mesatar”, ka thënë ai.

Tahiri ka kritikuar Qeverinë për ndarjen e nga 100 eurove për çdo të punësuar që ka pagë nën 1000 euro.

“Shpërndau ndihma gjithandej Kosovës me kritere skajshmërisht diskriminuese, duke e përjashtuar sërish shtresën e mesme, që marrin pagë mbi 1000 euro, e që në shumicën e rasteve kanë vetëm një të punësuar në familje. Ndërkohë, që me vendimin e Qeverisë, hipotetikisht mund të përfitojnë ndihma dy bashkëshortët që marrin nga 950 euro pagë, e pse jo edhe ndonjë fëmijë i tyre në emër të statusit të studentit”, ka thënë Tahiri.

Pikën e tretë, të cilën Tahiri e quan “goditje fatale”, ka thënë se Qeveria po e jep me refuzimin për t’ua mundësuar qytetarëve tërheqjen e re nga Trusti.

“Pra, këta qytetarë po trajtohen vetëm si pagues të taksave dhe po privohen nga çfarëdo përfitimi që indirekt rrjedh pikërisht prej këtyre taksave”, ka thënë Tahiri për shtresën e mesme.