Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Tahiri ka reaguar pas arrestimit të Jakup Krasniqit dhe konfirmimit të aktakuzës ndaj Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se është vetëm një palë përgjegjëse për krime lufte dhe gjenocid dhe ajo është Serbia.
Tutje, Tahiri shtoj se gjyqet nuk mund ta ndryshojnë historinë dhe se Krasniqi e Selimi janë po ata ushtarë liridashës.
Reagimi i plotë:
Në historinë e re të lavdishme, në mesin e figurave kryesore, kanë qenë dhe do të mbesin përgjithmonë, ish zëdhënësi, zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ushtari i saj, ikona e gjallë në uniformë, Rexhep Selimi, në daljen e parē publike të saj, aty ku ushtari dhe ushtria e kishte vendin, në mesin e popullit.
Baca Jakup me paraqitjet e tij, u bë fytyra e UÇK në sytë tanë dhe në sytë e botës. Selimi me paraqitjen e tij, u bë ushtari mitik, shembulli frymëzues për dhjetëra e mijëra liridashës, që do të bëheshin ushtar pasues. Krasniqi dhe Selimi, e paraqitën UÇK-në, ashtu siç ishte, ushtri e luftës së drejtë, me përkrahje të popullit të saj dhe kombeve të lira gjjthandej.
Ka vetëm një palë përgjegjëse për krime lufte, për gjenocid, për luftë të padrejtë. Ajo palë, pjesëtarët e saj, është Serbia, strukturat e saj, pjesëtarët e saj. Gjyqet nuk mund ta ndryshojnë historinë. Krasniqi, Selimi, secili, janë po ata, ushtarë liridashës. Ne u frymëzuam nga shembulli i tyre, dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë!.