Fjalë Kyçe

Tahiri kërkon nga partitë politike ta votojnë buxhetin e vitit 2021

Tahiri kërkon nga partitë politike ta votojnë buxhetin e vitit 2021

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar nga partitë politike që të votojnë buxhetin për vitin 2021.

Tahiri ka thënë se votimi i buxhetit 2021 është rasti më i mirë që grupet parlamentare të flasin me një zë konsensual për interesin e përgjithshëm publik, transmeton Telegrafi.

“Duke marrë parasysh faktin që nuk kemi arritur konsensus të plotë ndër-partiak për votimin e Ligjit për Rimëkëmbje, votimi i Buxhetit 2021 është rasti më i mirë që grupet parlamentare të flasin me një zë konsensual për interesin e përgjithshëm publik”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, ai ka pohuar se “partitë politike duhet të dëshmojnë se agjenda institucionale dhe publike është prioriteti i të gjithëve, dhe jo vetëm i një shumice të thjeshtë”.

“Rëndësia e votimit të Buxhetit 2021 qëndron mbi faktin se ky buxhet mbulon pagat, shërbimet, projektet e nisura, tema këto që tejkalojnë dallimet partiake. Andaj është koha që të marrim një kurs të ri, sipas të cilit konfirmojmë që jemi shoqëri e pjekur, e cila para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, prodhon stabilitet , duke mos pritur momentet kur forcat politike komunikojnë përmes kushtëzimeve”, përfundon reagimi i tij.