Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka thënë se Kosova duhet të angazhohet fuqishëm që në takimin e Washingtonit, që pritet të mbahet më 4 shtator, të bëhet njohja reciproke pa prekur kufijtë.
Tahiri ka thënë se ky takim është i një rëndësie strategjike sepse tregon angazhimin e shtuar të Amerikës për Kosovën dhe për paqen në Ballkan.
“Vlerësoj se takimi në Washington këtë javë ka një rëndësi strategjike sepse tregon angazhimin e shtuar amerikan për Kosovën dhe për paqen, fqinjësinë dhe stabilitetin në mbarë rajonin e Ballkanit, ku për fat të keq ende kemi çështje të hapura siç është normalizimi i marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë pas 20 vjetësh të përfundimit të luftërave dhe lindjes së shteteve të reja”, tha Tahiri për IndeksOnline.
Siç ka thënë Tahiri, e cila për disa vite kishte negociuar me palën serbe, takim i së premtes është një hap përpara drejt njohjes mes dy shteteve.
Ish-kryenegociatorja tha se Kosova duhet të angazhohet fuqishëm për të arritur njohjen reciproke, por pa prekur kufijtë.
“Takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Washington do të jetë një hap përpara drejt njohjes reciproke mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktual, si një zhvillim pozitiv që kontribuon në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Kosova duhet të angazhohet fuqishëm për të arritur njohjen reciproke pa prekur kufijtë, çështjen e reparacioneve të luftës, të drejtën e sukcesionit pra marrjen e hises që i takon nga zhbërja e ish-Jugosllavisë ku Kosova ishte njësi federale”, theksoi Tahiri.
Ndonëse ky takim është thënë se do ta ketë më shumë karakterin ekonomik se sa të një njohje politike në mes të dyja vendeve, Tahiri ka porositur palën kosovare që të mos iu shmangen temave tjera.