Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar siç ka thënë mospërmbushjen e agjendës legjislative nga qeveria Kurti.
Shefi i Grupit Parlamentar të partisë, Besnik Tahiri, ka thënë të dielën në një konferencë për media se agjenda legjislative e qeverisë aktuale është dështimi më i madh i saj.
Sipas tij, asnjë ligj që lidhet me politikat e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje “Krejt dhe Drejt” nuk është përfunduar.
“Programi i kësaj qeverie është dështimi më i madh në historinë e Kosovës. Asnjë ligj i cili lidhet me politikat e programit ‘Krejt dhe Drejt’ nuk është përfunduar dhe i kanë shkelur krejt afatet e veta. Në periudhën kohore janar-qershor janë paraparë gjithsej 54 ligje. Prej tyre ligje të miratuara kemi vetëm 6, apo 11,11% të programit, projektligje të miratuara në lexim të parë 3 apo vetëm 5,5 %, projektligje të procedura në Kuvend 1 apo 1,85% dhe projektligjet që nuk kanë nisur procedurën 44, apo 81.48%”, ka deklaruar Tahiri.
Ai e ka quajtur këtë “normë të mashtrimit përmes dokumenteve”.
“Të gjitha këto të dhëna tregojnë për një normë e cila në historinë e vet politikë dher qevberisëse mbahet mend si ‘Normë e mashtrimit përmes dokumenteve’, pra ky është mashtrim me letra”… Tash e tri vjet e gjysmë e presim ligjin për sigurime shëndetësore. Ka pasur të vijë më 28 qershor, nuk ka ardhur. A është kjo Qeveri që fliste për banim social? Ja projektligji për banim social nuk ka ardhur (në Kuvend). Asgjë s’ka bërë qe tre vjet e gjysmë. Besimi i qytetarëve është tradhtuar”, është shprehur ai.