Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Drejtues për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore.
Ai ka theksuar se institucionet që e zbatojnë këtë Strategji janë kampion të reformës. Nga 18 projektligje që Strategjia kërkon të ndryshohen, ministri Tahiri ka bërë të ditur se janë miratuar 16 prej tyre.
Sipas tij, ndryshimi kryesor i bërë në 5 vitet e zbatimit të kësaj Strategjie, është përmirësimi i trashëgimisë së pronës nga ana e grave në Kosovë, që deri tani ka qenë në numër shumë të vogël.
“Sot kemi arritur të krijojmë një situatë e cila e fuqizon gruan në trashëgimi dhe kjo është një agjendë mjaftë e rëndësishme në fuqizimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare” ka thënë ministri Tahiri.
Ai ka përmendur edhe ndryshimet e bëra në profesionet e lira ligjore, me ndryshimet e ligjeve për noterët, përmbaruesit privat dhe procedurën kontestimore.
“Ne padyshim e kemi një agjendë të qartë e cila do të ndihmoj edhe më tutje zhvillimin ekonomik të vendit duke e qartësuar statusin juridik të pronës publike e po ashtu duke qartësuar të drejtat e pronës në detaje dhe duke krijuar një ambient sa më të mirë edhe për investime në Republikën e Kosovës” ka thënë ministri Tahiri.
Tahiri ka falënderuar USAID-in për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë, që sipas tij, për 5 vite janë ndarë 10 milionë dollarë nga taksapaguesit amerikanë.
Nga ana e saj, drejtoresha e USAID-it, Lisa Magno ka theksuar se pavarësisht rregullimit të mirë ligjor, duhet të ndërmerren hapa konkret në zbatimin transparent të këtyre ligjeve, deri në ndryshimin për të mirë të jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës.