Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara …. u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, është shprehur Hovenier pas takimit që ai dhe ambasadorët e tjerë tëvendeve të QUINT-it kanë zhvilluar me Kurtin.
Ai nuk ka pranuar të komentojë se për çfarë arsye nuk e mbështesin këtë.
Takimi i tyre me Kurtin vjen pas paralajmërimeve të qeverisë për hapjen e urës.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian të enjten kanë përsëritur se hapja eventuale e Urës mbi Lumin Ibër për qarkullim të automjeteve duhet të jetë çështje që diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Pas tyre ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.
Zyrtarë nga Brukseli që u deklaruan rreth kësaj çështje, kanë thënë se shmangia e veprimeve të njëanshme përbën detyrim për palët.
Edhe pse zyrtarë qeveritarë e kanë cilësuar absurde ndërlidhjen e heqjes së masave sanksionuese me këtë çështje, “Koha” ka raportuar se ka hezitim për largim të sanksioneve për shkak të Urës mbi Ibër.
Punët për rivitalizimin e urës mbi Lumin Ibër, të cilat ishin financuar nga BE-ja kanë përfunduar prej vitesh, por që ajo nuk është hapur asnjëherë për qarkullimin e veturave.
Ura mbi lumin Ibër, apo siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 214 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Dhuna nuk ishte ndalur as pas pozicionimit të trupave të NATO-s, ku jo rrallë ka qenë arenë e përplasjeve edhe të përgjakshme.
Pamja e urës ka ndryshuar ndër vite. Nga gurët e zhavorri, pastaj pishat e të ashtuquajturit “Park i paqes” dhe muri i lartë dy metra, tashmë hapësira përreth urës është transformuar në shëtitore. Por nuk është larguar edhe pengesa e fundit, për lëvizjen e lirë të automjeteve.
Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet me diskutime brenda dialogut. Institucionet në Kosovë e kanë kërkuar dhe mbështetur këtë veprim duke arsyetuar se garanton lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve.