Fjalë Kyçe

Takohen Kurti e Abazoviq: Nuk flitet gjë për Demarkacionin

Takohen Kurti e Abazoviq: Nuk flitet gjë për Demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me homologun e tij nga Mali i Zi, Dritan Abazoviq.

Takimi i tyre ka ndodhur në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, shkruan lajmi.net.

Siç njofton Qeveria në komunikatë, kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

“Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët”, thuhet në komunikatë.

Takimi i tyre vjen veç pak ditë pasi që Abazoviq tha se çështja e Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi është çështje e mbyllur për shtetin e tij, ndonëse Kurti kishte shprehur qartë se ka pritshmëri nga ai që kjo çështje të diskutohet.

Në takim, sipas Qeverisë kjo çështje nuk u diskutua.

Njoftimi i plotë i Qeverisë:

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.​

Kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha.

Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.

U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve.

U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti.