Presioni për heqjen apo edhe pezullimin e taksës dita-ditës vetëm sa po rritet. Madje, një gjë të tillë të hënën e ka kërkuar edhe Ambasada e Francës në Prishtinë.
Kjo ambasadë ka thënë se taksa 100 për qind, e vendosur para më shumë se tre muajsh ndaj produkteve serbe, duhet të pezullohet ose të largohet, shkruan Gazeta Alo.
Por pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për suspendim të taksës kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të zotohet se taksa nuk hiqet pa pasur paraprakisht një marrëveshje për njohje të Kosovës nga Serbia.
Që, kryeministri Haradinaj është duke pritur një garanci në formë të shkruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se në fazën finale të dialogut nuk do të diskutohet për territorin e Kosovës dhe se deri sa ta merr këtë nuk do ta heq taksën e thotë edhe analisti politik, Imer Mushkolaj.
Mushkolaj, thotë për Gazetën Alo se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk janë në atë nivelin e presionit që do të ndikonte që kryeministri Haradinaj ta hjek taksën.
“Unë besoj që kryeministri është duke e pritur një garanci të shkruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se në fazën finale të dialogut nuk do të diskutohet për integritetin territorial të Kosovës dhe sapo ta merr këtë garanci, nëse e merr gjithmonë po them ai besoj se do ta pezullojë taksën edhe pse nëse e shohim realisht çfarë ka qenë presioni ose çfarë din me qenë presioni amerikan duke u bazuar në rastet e kaluara e kam përshtypjen se SHBA-të ende nuk janë në atë nivelin e presionit që do të ndikonte përnjëmend që taksa të hiqet dhe këtë farë hapësirë të them po e shfrytëzon kryeministri për të vazhduar me vendimin e tij”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij, taksa do të mbetet në fuqi për aq kohë sa Haradinaj është kryeministër i vendit.
“Taksa do të mbetet aq sa do të jetë edhe Haradinaj kryeministër, është një situatë interesante ku në fakt ai nuk po largohet, nuk po jep dorëheqje ose siç po ia bëjnë të ditur sidomos nga partneri i madh i koalicionit PDK-ja, në anën tjetër nuk po marrin guximin që ta provojnë mocionin e mosbesimit në Kuvend për shkak se nuk po janë të sigurtë që i kanë votat, mos të harrojmë se VV-ja e mbështet Haradinajn për taksë, LDK-ja ka një farë qëndrimi të mesëm ose nuk e ka qëndrimin e qartë, kështu që është një farë pozicioni ku as nuk po munden ta heqin e as ai vet nuk po hiqet”, ka deklaruar analisti Mushkolaj.
Por, thotë se nëse në këtë rast kryeministri Haradinaj rrëzohet me mocion mosbesimi për shkak të taksës atëherë kjo do të ishte një humbje e madhe për PDK-në.
“Po të hiqet Haradinaj atëherë kjo politikisht për PDK-në do të ishte një humbje e madhe për shkak se thjeshtë do të thuhej që dikush që ishte kryeministër në këtë rast Haradinaj u hoq vetëm për shkak të taksës dhe kjo nuk është popullore, përkundrazi është shumë jopopullore për PDK-në, një gjë e tillë, pra jemi në këtë situatën mos të them të bllokimit sepse nuk është bllokim Qeveria po funksionin absolutisht dhe është legjitime derisa nuk provohet në Kuvend rrëzimi por e kemi njëfarë situate interesante ku askush nuk po mundet të qoj përpara ose të shkojë përpara për shkak se taksa e ka bë që në këtë situatë të ndishme të mos dijë askush si të veprojë”, ka pohuar ai.
Pezullimin apo edhe heqjen e taksës është duke e kërkuar edhe Bashkimi Evropian.
Ndërsa, Serbia është duke e kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës. Ata thonë se deri sa Qeveria e Kosovës nuk do ta heq taksën ndaj produkteve serbe nuk do të ketë vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Qeveria e Kosovës ka marr vendim më 21 nëntor të vitit të kaluar që të vendos taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës./Gazeta Alo/