Fjalë Kyçe

Tani kemi filluar t’ia marrim anën, më shumë të shëruar sesa raste të reja

Tani kemi filluar t’ia marrim anën, më shumë të shëruar sesa raste të reja

Katër ditët e fundit të prillit kanë shënuar rritje të konsiderueshme të numrit të të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë. Vetëm nga 27 prilli e deri më 30 prill, në vend janë shëruar 105 persona.

Në të katër ditët rresht, duke nisur nga e hëna e 27 prillit, numri i të shëruarve ka qenë më i lartë se ai i rasteve të reja pozitive. Përderisa u regjistruan 105 të shëruar, në këto katër ditë numri total i rasteve të reja pozitive ishte 43.

Ditën e hënë u regjistruan 35 raste të shëruara, ndërsa ishin 17 raste të reja me Covid-19. Një ditë më pas, u regjistruan si të shëruar edhe 31 persona të tjerë, ndërsa 10 raste ishin pozitive. E mërkura e 29 prillit pati bilanc më të përafërt – atë ditë u shëruan 17 persona e u regjistruan nëntë raste të reja pozitive. Më 30 prill, në Kosovë u regjistruan 22 të shëruar e ishin vetëm shtatë raste pozitive me koronavirus.

Në total, në Kosovë deri tash janë regjistruar 806 raste me infeksion, ndërsa numri i të shëruarve, pas përfundimit të muajit prill është 271 – kjo përkthehet në 33 për qind të totalit. 22 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.

Nga 4 maji në Kosovë pritet të nisë lehtësimi i masave. Ministria e Shëndetësisë ka paraparë tri faza lehtësimi, me të fundit që nis më 1 qershor.