Një lajm mjaft i bujshëm ka qarkulluar paraditen e sotme në mediat spanjolle, sipas të cilave sulmuesi anësor brazilian, Malcom është pranë kalimit te Lazio.
Futbollisti që në verë duhet të përfundonte te Roma, por ndërroi mendje para se të hipte në avion dhe shkoi në Katalunjë, po luan shumë pak te katalanët, të cilët tani duan ta largojnë sërish.
Për sulmuesin brazilian ka oferta edhe nga Kina, por vetë Malcom dëshiron të mbetet në Europë, ndaj edhe këtë fakt po e shfrytëzon maksimalisht Igli Tare.
Drejtori Sportiv i “bardhekaltërve” ka marrëdhënie të mira me drejtuesit e Barçës dhe u ka kërkuar atyre huazimin e Malcom deri në fund të sezonit, me të drejtë blerjeje më pas në verën e ardhshme.
Vetë katalanët preferojnë një shitje të menjëhershme në Kinë, por duke parë dëshirën e lojtarit për të mbetur në Europë, po mendojnë seriozisht bashkëpunimin me Lazion.