Fjalë Kyçe

Tash Isa Mustafa drejton shtizat edhe kundër Haxhi Avdylit, tregon se kur e ‘tradhëtoi’ LDK-në

Tash Isa Mustafa drejton shtizat edhe kundër Haxhi Avdylit, tregon se kur e ‘tradhëtoi’ LDK-në

Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli janë tandemi që kanë kundërshtuar në vazhdimësi vendimet dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kur vihej në pikëpyetje arritja e koalicionit me VV’në, të dy kanë qenë të zëshëm që të arrihet një marrëveshje me partinë e Kurtit, derisa kanë kundërshtuar vendimin e LDK’së për ta rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vjosa Osmani madje kishte deponuar edhe koment në Kushtetuese kundër dekretit të presidentit Thaçi për nomiminin e bashkëpartiakut të saj, Avdullah Hotit, për kryeministër, derisa bashkë me Avdylin s’kanë marrë pjesë në seancën e votimit të kryeministrit të LDK’së pavarësisht faktit se kishte pikëpyetje të mëdha nëse LDK do të arrijë t’i sigurojë votat e mjaftueshme.

E qëndrime të tilla të dy zyrtarëve të LDK’së kanë nxitur debat të madh dhe gjithashtu edhe reagimin e kreut të LDK’së, Isa Mustafës.

Mustafa kishte thënë se nuk është korrekte që Vjosa Osmani t’ia mbajë anën e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, një qëndrim i tillë nuk është korrekt në raport me partinë dhe votuesit.

“S’mund të them se s’jam i zhgënjyer. Ajo ka pas besimin që ia kemi dhënë për kryeministre, dhe ajo tash del kundër qëndrimeve të partisë. Por s’është asgjë e re sepse kjo nuk është hera e parë”, kishte thënë Isa Mustafa pas dorëzimit të komenteve në Kushtetuese.

Kreu i LDK’së nuk e ka kursyer fare as Haxhi Avdylin i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës, por që kishte udhëhequr me degën e LDK’së në Prizren kur kjo parti kishte humbur zgjedhjet e fundit lokale.

Mustafa dje në një përgjigje për Gazetën Express derisa ka komentuar për vendimin e VV’së për shkëputje të koalicionit me LDK’në në Prizren, ka paralajmëruar se partia e tij do të rikthejë pushtetin në Prizren meqë tashmë degën e partisë e drejtojnë njerëz që punojnë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe jo për ndonjë parti tjetër.

“VV e ka fituar Prizrenin falë mbështetjes së degës së LDK’së në Prizren. Në zgjedhje e reja, LDK do ta fitojë Prizrenin, sepse tani degën atje e drejtojnë njerëzit që nuk punojnë për parti tjera, por janë të përkushtuar për LDK’në dhe qytetarët”, ka thënë dje për Express Isa Mustafa.

Ndërkohë ende nuk dihet nëse strukturat e LDK’së do të marrin ndonjë vendim me anëtarët të cilët veprojnë në kundërshtim më qëndrimet e partisë.

Aktualisht me degën e LDK’së në Prizren udhëheq ministri i Mbrojtjes, Anton Quni.