Gjykata Penale e Brukselit të enjten (9 janar) do të nisë procedurat për rishqyrtimin e rastit të Veselin Vukotiqit dhe Andria Drashkoviqit, të cilët akuzohen si dy nga katër autorët e vrasjes së aktivistit nga Kosova, Enver Hadri, raporton gazeta “L’avenir”.
Hadri u vra me plumb në kokë më 25 shkurt të vitit 1990 në Saint-Gilles të Belgjikës teksa ishte duke pritur në semafor me veturë. Hadri kishte me vete listën e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia të cilën do t’ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Parlamentin Evropian.
Gjykata Penale e Brukselit të hënën zgjodhi anëtarët e jurisë të cilët do ta rishqyrtojnë rastin. Procedurat e rishqyrtimit do të nisin të enjten nga ora 09:00.
Vukotiq, 72 vjeç, dhe Drashkoviq, 60 vjeç, u dënuan në mungesë me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit 2016 nga Gjykata e Apelit në Bruksel për vrasjen e Hadrit, ish-presidentit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Juria pati konstatuar se këta dy persona vepruan me urdhër të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë. Urdhrin, sipas gjykatës, e ka dhënë kryeinspektori Bozhidar Spaçiq, i cili gjithashtu është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm.
Vukotiq dhe Drashkoviq apeluan vendimin dhe tek pas tetë vjetëve, pra në janar të vitit 2025, u është mundësia për rishqyrtim të rastit.