Tre kandidatët për president shteti, Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski, një ditë para fillimit fushatës nënshkruan Kodeksin për zgjedhje korrekte dhe demokratike.
Të tre kandidatët u zotuan se do zhvillojnë fushatë demokratike dhe të drejt, duke uruar njëri tjetrin për një garë të shëndoshë.
“Unë shpresoj se do të jetë një garë ferr ligjore dhe e rregullt, fundja nuk është aq me rëndësi se kush fiton por me rëndësi është që Republika e Maqedonisë së Veriut do të fitojë, dhe të fiton datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, deklaroi Blerim Reka, kandidat i pavarur për President (i mbështetur nga Aleanca& Besa), raporton Alsat M.
“Bashkëpjesëmarrësit në zgjedhje nuk i shoh si armiq, ndërsa neve grave nuk na ka hije që të mos e respektojmë etikën . Edhe pse jam grua, pres një betejë kalorësish me argumente e jo me lojëra bizantinësh. Mendoj se fjalën e fundit do e kenë qytetarët” , tha Gordana Siljanovska, kandidate e VMRO-DPMNE-së për Presidente.
“Edhe pse sot jemi dëshmitarë të proceseve paraprake zgjedhore ku diçka tjetër është nënshkruar e diçka tjetër është bërë, në emrin tim, jam i bindur por edhe në emër të kundër kandidatëve të mi formal, sepse ne nuk jemi prej dje para opinionit, mund të garantoj se kjo që sot e nënshkruam do e zbatojmë praktikisht në teren”, u shpreh Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së për President.
Nga Komisioni Shtetërorë Zgjedhorë gjithashtu presin që të respektohet Kodi zgjedhor jo vetëm nga kandidatët, por dhe nga partitë dhe simpatizantët.
“Kjo është një vepër e mirë dhe e shkëlqyer. Ne të gjithë do të mundohemi që ta realizojmë fushatën zgjedhore dhe këto zgjedhje presidenciale të përfundojnë në mënyrë të drejtë, korrekte dhe demokratike, ndërsa ne të demonstrojmë kapacitetin demokratik të shtetit dhe të qytetarëve të shtetit tonë”, deklaroi Oliver Derkovski, kryetar i KSHZ-së.
Sipas radhitjes, kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita shqiptare Blerim Reka do të kryesojë fletëvotimin, numri dy i takon kandidates së VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska ndërsa numër tre është kandidati i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski. Fushata zgjedhore fillon të hënën më 1 prill, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 21 prill.
Të drejtë vote kanë rreh 1.8 milion qytetarë.