Fjalë Kyçe

Të rinjtë vazhdojnë të largohen nga Kosova, Trepça mbetet edhe pa dy talentë

Të rinjtë vazhdojnë të largohen nga Kosova, Trepça mbetet edhe pa dy talentë

Familje të shumta kosovare vazhdojnë të zgjedhin për të jetuar në vende evropiane, përkatësisht për t’u larguar nga vendi. Dhe kjo po vërehet sidomos në skuadrat sportive që vazhdimisht po mbesin pa lojtarë të rinj.

Një ndarje emocionale, si shumë të tjera në vitet e fundit, ka ndodhur të premten paradite në Shkollën e Futbollit të klubit mitrovicas Trepça. Këtë Trepça e ka bërë të ditur përmes faqes zyrtare në “facebook”.

Dy futbollistë të rinj të Trepçës, Leutrim e Leon Kuqani janë përshëndetur me shokët dhe trajnerët. Ata do të vazhdojnë jetën në Gjermani.

“Sot Leutrimi dhe Leoni u përshëndetën me shokët dhe trajnerët e tyre. Morën rrugën e migrimit për në Gjermani. E vështirë për fëmijët tanë që në vend se të ardhmen ta kenë këtu, po duhet të marrin rrugën për një të ardhme më të mirë. Ne i falënderojmë për punën, korrektësinë, disiplinën gjatë këtyre viteve dhe dëshirojmë fat dhe shumë suksese”, thuhet në njoftimin e Shkollës së Futbollit të KF Trepça.

Trajneri Emin Baliqi ka njoftuar se dy futbollistët e rinj janë pajisur me vizë dhe do t’i bashkohen babait të tyre në Gjermani. Dhjetëra janë larguar vetëm nga kjo shkollë në vitet e fundit.

“Është e dhimbshme që vazhdimisht po largohen futbollistët e talentuar nga vendi ynë”, thotë ai.