Telefonata mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të enjten “nuk shkoi mirë”, ka thënë një zyrtar i lartë ukrainas për CNN, mes mosmarrëveshjeve mbi “nivelet e rrezikut” të një sulmi rus.
Shtëpia e Bardhë, megjithatë, kundërshtoi rrëfimin e zyrtarit, duke paralajmëruar se burimet anonime po “jepnin informacione të rreme”. Ata deklaruan se Bideni e paralajmëroi Zelenskyn se pushtimi i afërt është një “mundësi e veçantë”.
Në thirrjen, të cilën zyrtari ukrainas e përshkroi si “të gjatë dhe të sinqertë”, Biden paralajmëroi homologun e tij ukrainas se një sulm rus mund të ishte i pashmangshëm, duke thënë se një pushtim tani ishte praktikisht i sigurt.
Zelensky, megjithatë, ritheksoi qëndrimin e tij se kërcënimi nga Rusia mbetet “i rrezikshëm, por i paqartë” dhe nuk është e sigurt që një sulm do të ndodhë, ka thënë zyrtari.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Emily Horne kundërshtoi përshkrimin e telefonatës nga zyrtari i lartë ukrainas. “Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt. Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë. Raportet për diçka më shumë ose ndryshe nga kjo janë krejtësisht të rreme”.
Diskutimi midis dy liderëve vjen ndërsa SHBA dhe NATO vazhdojnë të përgatiten për perspektivën e një pushtimi rus. Megjithëse ata kanë theksuar nevojën për diplomaci, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se një pushtim mund të jetë i pashmangshëm me dhjetëra mijëra trupa ruse të grumbulluara në kufirin ukrainas.
Telefonata zgjati një orë e 20 minuta të enjten, sipas një zyrtari të sigurimit kombëtar të SHBA-së, duke nënvizuar çështjet e gjera që të dy udhëheqësit duhej të diskutonin në mes të ngritjes së trupave ruse. Zyrtari e përshkroi thirrjen si “të gjatë dhe serioze”, por “produktive”, ndërsa Biden dhe Zelensky diskutuan agresionet e fundit të Rusisë.
Biden i ka thënë Zelenskyt se zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se një pushtim potencialisht mund të ndodhë në shkurt, por nuk tha se do të ndodhte patjetër, shtoi zyrtari.