Fjalë Kyçe

Temperaturat e ulëta, ligji s’e lejon “Termokosin” të rikthejë ngrohjen

Temperaturat e ulëta, ligji s’e lejon “Termokosin” të rikthejë ngrohjen

Pavarësisht “motit dimëror” që po mbizotëron në Kosovë dhe kërkesës së disa qytetarëve që të riaktivizohet sistemi i ngrohjes nga “Termokosi” në Prishtinë, kjo ndërmarrje thotë se e ka të pamundur ligjërisht një gjë të tillë.

Afërdita Uka-Fejzullahu, zëdhënëse në “Termokos” ka thënë se furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje, në kushte të veçanta klimatike, lejohet vetëm deri më 30 prill, sipas ligjeve në fuqi.

“Me ligjet dhe rregulloret në fuqi furnizimi i rregullt me energji termike për çdo sezon ngrohës fillon më 15 tetor dhe përfundon me 15 prill të vitit vijues, ndërsa furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje, në kushte të veçanta klimatike, lejohet vetëm deri më 30 prill. Pra, kufiri maksimal kohor, kur NP ‘Termokos’ është i obliguar të furnizojë me ngrohje gjithë konsumatorët ka përfunduar më 30 prill”, ka thënë ajo për Koha.net.

Ajo ka shtuar se bazuar në direktivat ligjore, edhe planifikimet për blerje të energjisë nga KEK-u, të cilat bëhen në baza vjetore, bëhen vetëm për muajt prej tetor deri në prill të vitit vijues.

Sivjet, “Termokosi” kishte zgjatur sezonin e ngrohjes edhe për 8 ditë pas përfundimit ligjor të furnizimit të rregullt me energji ngrohëse.

“Sado që kemi mirëkuptim të plotë për kërkesat e konsumatorëve për energji ngrohëse, ligjërisht furnizimi me ngrohje për këtë sezon ngrohës ka përfunduar më 24 prill”, ka përfunduar Uka-Fejzullahu.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të martën në Prishtinë temperaturat do të lëvizin mes 2 dhe 9 gradë Celsius.