Fjalë Kyçe

Testimi për COVID-19 tek fëmijët sfidë për institucionet shëndetësore

Testimi për COVID-19 tek fëmijët sfidë për institucionet shëndetësore

Klinika e Pediatrisë në Prishtinë po kërkon nga institucionet e shëndetësisë që të kryhen testime më të shpejta për COVID-19, tek fëmijët.

Drejtoresha e kësaj klinike, Drita Telaku-Qosaj, në një intervistë për KosovaPress, derisa flet për trajtimin e fëmijëve me Covid-19, ndër sfidat kryesore, po e konsideron edhe testimin. Ajo thotë se do të jetë e vështirë diagnostifikimi i fëmijëve me virus për shkak të ngjashmërisë me gripin sezonal.

“Nëse ka mundësi institucionet tona së paku për fëmijë të kemi testime pak më të shpejta ose teste të tilla që ndoshta të na bëjnë një diferencim të fëmijës që është me Covid-19, fëmijë i cili është me virus të stinës, ndoshta testimi do të jetë një sfidë sepse pasqyra klinike është shumë e ngjashme me një grip sezonal me një fëmijë me Covid-19, me ndonjë virus tjetër që paraqitet. Është vështirë klinikisht me e diferencuar, se me cilën kemi të bëjmë. Sfidë do të jetë diagnostikimi dhe diferencimi i këtyre fëmijëve, edhe pastaj mjekimi kuptohet është pjesa tjetër”, thotë ajo.

E sipas saj, punën në këtë klinikë dukshëm do e vështirëson gripi sezonal i cili fillon në tetor, e të njëjtën kohë ballafaqimi me pandeminë.

“Dimri që është para nesh, ka me qenë një sfidë e posaçme, këtu i kemi gripin sezonal i cili fillon tash në tetor, ku askush nga ne nuk e dinë çfarë ecurie do të ketë gripi sezonal, edhe kuptohet problemi me Covid-19, është një sfidë e posaçme që ka me qenë para nesh. Mendoj që parimisht duhet të mendojmë për fëmijët me sëmundje kronike”, thotë ajo.

Ndër të tjera, drejtoresha Telaku ka bërë të ditur se në Klinikën e Pediatrisë, aktualisht po trajtohet vetëm një fëmijë me Covid-19, gjendja e të cilët thotë se është stabile.

“Në njësinë COVID deri tash i kemi pasur 46 fëmijë, mirëpo fatmirësisht në përgjithësi numri i tyre nuk është i madh. Për momentin e kemi vetëm një fëmijë të hospitalizuar, në disa raste te fëmijët me sëmundje shoqëruese, ata po kanë një pasqyrë klinike më të rëndë. Prej krejt këtyre fëmijëve që i kemi mjekuar me Covid, një fëmijë ka qenë me një sëmundje shumë të rëndë të zemrës, e cila është diagnostikuar pas lindjes dhe ka përfunduar me fatalitet”, thotë ajo.

Nga data 25 korrik në Klinikën e Pediatrisë është krijuar hapësirë e posaçme ku mjekohen fëmijët e prekur me virusin COVID-19, e që deri më tash janë trajtuar 46 fëmijë, një prej të cilëve ka përfunduar me fatalitet. Krahas kësaj, kjo klinikë ka vazhduar të ofrojë të gjitha shërbimet tjera.