Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar tetë persona të cilët janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Lajmin për Klankosova.tv. e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti e cila tha se në aksident janë përfshirë tri automjete në lëvizje.
“Mbrëmë rreth orës 22:30, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku kanë qenë të përfshira tri automjete në lëvizje. Bazuar në të dhënat nga vendi i ngjarjes si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore kanë pësuar tetë persona dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, u shpreh ajo.
Tutje, Ahmeti bëri të ditur se njësia rajonale e trafikut ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve që kanë sjellë deri te ky aksident.