Fjalë Kyçe

Tha se u frikësua për akt terrorist ndaj aeroplanit të tij, Qeveria i reagon Pacollit

Tha se u frikësua për akt terrorist ndaj aeroplanit të tij, Qeveria i reagon Pacollit

Qeveria e Kosovës i ka reaguar deputetit të AKR-së, njëherit kryetar i kësaj partie për deklaratat e tij pas ardhjes dje në Prishtinë.

Pacolli para mediave tha se kishte frikë se ndaj aeroplanit të tij “do të organizohej sulm terrorist nga autoritetet e Kosovës”.

Përparim Kryeziu, zëdhënës në qeverinë e Kosovës me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se Pacollit i është komunikuar në rrugë zyrtare se duhet të respektojë masat, siç respektojnë sipas tyre çdo qytetar i Kosovës.

“Fatkeqësisht, me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve të veta, thirrjet për respektimin e udhëzimit zyrtar që edhe ai të zbatojë masat në fuqi i intepretoi si frikë të tij për një “akt terroristik nga ana e shtetit” në të”, ka shkruar ai.

Kryeziu po ashtu ka thënë se Pacolli është duke  vazhduar izolimin e tij në shtëpi, dhe se ai duhet të kërkojë falje për deklaratat e bëra dje.

Postimi i plotë:

Deputetit Pacolli i është komunikuar zyrtarisht se duhet të respektojë masat, ashtu siç bën çdo qytetar, përfshirë edhe zyrtarët ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë.

Fatkeqësisht, me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve të veta, thirrjet për respektimin e udhëzimit zyrtar që edhe ai të zbatojë masat në fuqi i intepretoi si frikë të tij për një “akt terroristik nga ana e shtetit” në të.

Pra, masat që janë marrë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga virusi, deputeti Pacolli, njëherësh ish Ministri i Punëve të Jashtme dhe ish Presidenti i Republikës së Kosovës, i interpretoi si mundësi për “akt terroristik nga shteti”.

Këto fjalë të rënda, po publikohen në mediat e vendeve që sabotojnë shtetësinë e Kosovës, dhe po përdoren kundër shtetit tonë.

Deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr ato që tha.

Edhe opozitarizmi e ka një kufi, është e papërgjegjshme, e pamatur, e dëmshme dhe e dënueshme ta quash shtetin tënd “terrorist”, kur ai përpiqet të ruajë shëndetin tuaj dhe të qytetarëve.