Fjalë Kyçe

Thaçi do të gabonte nëse vendos të mbrohet në heshtje

Thaçi do të gabonte nëse vendos të mbrohet në heshtje

Duke e pasur parasysh peshën e aktakuzës dhe veprave me të cilat ngarkohet Thaçi, intervistimi i tij s’është proces që zgjat disa orë apo një ditë, teksa mbrojtja në heshtje nuk do të ishte strategji e mirë, ka thënë juristi Kushtrim Palushi.

“Janë dhjetë pika të aktakuzës dhe secila përmban vepra të caktuara penale dhe duhet të japë versionin e tij të mbrojtjes. Edhe nëse Thaçi do të zgjidhte të mbrohej në heshtje, Prokurori do të ishte i detyruar t’i lexojë të gjitha pretendimet. Por, sidomos në këto raste, marrë parasysh peshën e personit, historinë dhe pozitën, nuk do të ishte strategji e mirë që ai do të mbrohej në heshtje”, ka thënë Palushi.

Sipas tij, mbrojtja në heshtje merret si një lloj pranimi në heshtje, apo refuzimi për t’u deklaruar mbi atë që pretendon prokurori.

Palushi në RAPORT ka folur edhe për pjesën e fundit të deklaratës së Prokurorisë së Specializuar, përmes së cilës u bë e ditur aktakuza ndaj Thaçit e Veselit. Në të ishte përmendur pengimi i punës së Speciales prej tyre.

“Në sytë e Gjykatës Speciale, këta dytë janë parë si organizatorë të fushatës për zhbërjen e Speciales”, ka thënë ai, teksa ka rikujtuar fushatat e ndërlidhura me të.

Palushi ka përmendur edhe një aspekt tjetër të lidhur me kohën e publikimit të aktakuzës.

“Takimi në Washington dhe fakti se në opinion është diskutuar edhe ideja e amnistive për krimet e luftës. Si duket, i motivuar edhe nga kjo teori, Prokurori i Specializuar e publikoi deklaratën”, ka thënë ai.