Fjalë Kyçe

Thaçi kërkon dialog pa kushte nga Serbia

Thaçi kërkon dialog pa kushte nga Serbia

Presidenti Hashim Thaçi në një deklaratë për medie, pas takimit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se Kosova do të kërkojë në Samitin e Berlinit që të vazhdohet dialogu me Serbinë i pakushtëzuar.
Ai tha se në këtë takim nuk do të ketë dialog e as negociata mes Kosovës dhe Serbisë sikurse që është larg arritja e ndonjë marrëveshje, por para se gjithash, sipas tij, nuk do të ketë as dialog as negociata pa rolin e SHBA-së, raporton KTV.

“Kosova është e gatshme për dialog të pakushtëzuara. Sot është dita që kancerlarja Merkel ta bindë Vuçiqin ta njohë Kosovë, t’i bindë edhe pesë vendet e Bashkimit Evropian që ta njohin Kosovën. Taksa është e drejt e ligjshme dhe nëse Serbia do të vazhdojë me veprime agresive ne do t’i shtojmë masat dhe do të shkojmë në nivel të reciprocitetit”, tha ai.
Thaçi thotë se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm pasi që sipas tij Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për t’i lëvizur gjërat në Ballkanin Perëndimor.
Ai ndër të tjera shtoi se Kosova do të mbajë qëndrimin e njëjtë për bashkimin e territoreve sipas të cilit padrejtësisht iu morën.
Thaçi tha se nga ky Samit do të kërkojnë edhe liberalizimin e vizave.
“Kosova ka implementuar të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizim 95%, ndërkaq vendet e rajonit kanë implementuar 55%. Do të thotë ka qenë një standard i dyfishtë për Kosovën. Ne i kemi kryer detyra tona”, ka deklaruar ai.

Ai tha se liberalizimin nuk po e kërkojnë si dhuratë por është diçka që Kosova e meriton.
“Është një padrejtësi, diskriminim dhe ndëshkim që i bëhet njerëzve në Kosovë. Unë besoj që sot kancelarja Merkel dhe presidenti Macron do të jenë të qartë sa i përket liberalizimit të vizave. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të jetë një zhgënjim për takimin në Berlin.”
“Ne gjithashtu do të kërkojmë që ky Samit të dënojë gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë. E shoh si mundësi këtë takim dhe një rutinë por jo ndonjë zgjidhje magjike që dikush mund ta sjellë”, tha ai.