Fjalë Kyçe

Thaçi kërkon liberalizimin e vizave për kosovarët në Samitin e Zagrebit

Thaçi kërkon liberalizimin e vizave për kosovarët në Samitin e Zagrebit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në Samitin e Zagrebit ka përsëritur nevojën urgjente për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe statusin e kandidatit për Kosovën.

“Sapo përfundova fjalimin tim në Samitin e Zagrebit. Ritheksova nevojën urgjente që Bashkimi Evropian të sigurojë liberalizimin e vizave dhe statusin e kandidatit për Kosovën, si mënyrë të vetme për të rindërtuar besimin në procesin e integrimit në BE”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një telefonatë me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në kuadër të përgatitjeve për Samitin virtual të Zagrebit që po mbahet nën organizimin e Kroacisë si kryesuese e radhës e BE-së.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Presidencës, Thaçi dhe Michel u pajtuan që BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.

“Presidenti Thaçi kërkoi që shtetet anëtare të BE-së të marrin sa më parë vendimin për liberalizim të vizave. Dy liderët u pajtuan se përkundër rrethanave të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID19, angazhimi për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe garantimin e punës së institucioneve të pavarura është jetik. Po ashtu, nga të dy palët u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit të BE-së me shtetet anëtare dhe aktorët tjerë që kanë rol në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot paradite ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit.

Siç njofton kumtesa, Thaçi shprehu mirënjohje për këmbënguljen e Kroacisë që të mbahet Samiti i Zagrebit edhe në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

“Jemi mirënjohës që keni insistuar që samiti të mbahet edhe në këto kushte dhe që po mbani Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi, njofton kumtesa nga presidenca.

Tutje, citohet Thaçi të ketë thënë se “Kosova dhe Kroacia janë partnerë strategjikë në rajon dhe në perspektivën evropiane”.Kroacia është kryesuese e radhës e BE-së në gjysmën e parë të këtij viti dhe e ka prioritet të kryesimit të saj afrimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.