Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nga e hëna do të nisë konsultimet me liderët e partive politike për krijimin e Qeverisë së re.
“Pas krijimit të situatës së re, rënies së Qeverisë dhe mocionit nga Kuvendi i Kosovës, nga e hëna – duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në tërësi dhe përpikmëri – do të filloj konsultimet me liderët e partive politike, gjithashtu edhe me prezantimin e kritereve mbizotëruese për mundësinë e formimit të Qeverisë së re dhe mundësi të reja”.
I pari i vendit ka thënë se ai nuk është pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke lënë të nënkuptohet se kërkon qeveri gjithëpërfshirëse, njofton Klan Kosova.
“Fokusi im do të jetë në çdo rrethanë të eliminohet mundësia e organizimit të zgjedhjeve të reja apo shpërbërja e Kuvendit. Propozimi im do të jetë mundësia e krijimit të qeverisë së re. Nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët politikë, t’i dëgjoj opinionet e tyre dhe të prezantoj kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re, në mënyrë që të mos ketë vakum institucional”.
“Qeveria në ikje është në detyrë dhe do të kryejë punët që i takojnë me Kushtetutë dhe ligje. Natyrisht, fokusi im është të shkojmë drejt një qeverie të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirjes në mënyrë që të kemi sukses në reformat tona të nevojshme dhe të domosdoshme”.
Presidenti Hashim Thaçi këto komente i ka bërë derisa e ka vizituar Qendrën e Studentëve e cila është shndërruar në karantinë për të gjithë kosovarët që kthehen nga shtetet e jashtme.