Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur vendi do të arrijë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, njofton Klan Kosova.
Në një intervistë për “Bloomberg”, Thaçi ka thënë që kjo është mënyra e vetme me anë të së cilës do të mbylleshin “të gjitha çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të hapej rruga drejt BE-së”.
“Unë dua të besoj se viti 2019 do të jetë viti i marrëveshjes. Kjo është mënyra më e mirë e përparimit për vendet tona dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi.
Marrëveshja, e përmendur për herë të parë nga homologu i tij serb,Aleksandar Vuçiç vitin e kaluar, duhet të mbyllë “të gjitha çështjet e pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi dhe sipas tij duhet të përfshijë një “demarkacion kufitar, duke përcaktuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë”.
Presidenti Thaçi ka thënë gjithashtu se tani ekziston një “momentum i ri me fokus dhe vëmendje të shtuar të BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për të arritur një marrëveshje, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”.