Fjalë Kyçe

Thaçi në Ditën e Evropës: BE duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Ditën e Evropës, ka bërë thirrje për Bashkimin Evropian që të liberalizojë vizat për shtetasit e Republikës së Kosovës.

Thaçi, ka thënë se kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane, shkruan Gazeta Alo.

Sipas tij, Kosova ka përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve anëtare të BE-së, por ende po vazhdon diskriminimi i qytetarëve tanë.

Postimi i tij i plotë:

Dita e Evropës, 9 maji, është datë kur u bë hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian. Një thirrje për bashkimin e prodhimeve nga kryediplomati francez më 9 maj 1950, kishte bërë që të niste projekti i madh i krijimit të familjes evropiane, e cila u zhvillua nëpër vite. Në këtë ditë të veçantë për Bashkimin Evropian, ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe për qartësimin e perspektives evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane. Kemi përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve anëtare të BE-së, por ende po vazhdon diskriminimi i qytetarëve tanë. Ky diskriminim dhe ky trajtim i pabarabartë po komprometon edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian, mbi të cilat e ka ndërtuar bashkëpunimin me vendet jo anëtare në rajonin tonë. Bashkimi Evropian duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës! HTH/Gazeta Alo/

Fotografia e Hashim Thaçi