Fjalë Kyçe

Thaçi pranon për herë të parë se është takuar me Vuçiqin fshehtazi

Thaçi pranon për herë të parë se është takuar me Vuçiqin fshehtazi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është fisnike arritja e marrëveshjes me Serbisë, sikurse ishte madhështore fitorja dhe Pavarësia e Kosovës.

Në një intervistë për RTSH në Tiranë ai u shpreh se Kosova pa anëtarësim në organizata të fuqishme ndërkombëtare mbetet e izoluar, çka sipas tij nuk mund të lejohet që të ndodhë. Dhe për këtë dha një shembull: “Nuk mund të bëhemi Palestina e Ballkanit Perëndimor”.

Ndërkohë Thaçi ka pohuar se me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar disa takime prapa kamerave (jo publike).

“Jam takuar jashtë kamerave në Bruksel, Vatikan nëpër ceremoni të ndryshme, gjithashtu edhe në Paris, edhe Vjenë e Nju Jork. Kemi diskutuar hapur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, jo diçka nga ajo që kam theksuar në konferenca për shtyp. Faza e fundit e dialogut ka kuptim për Kosovën vetëm nëse ndodhë njohja dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB”, u shpreh Thaçi.

“Nuk e toleroj me asnjë rrethanë dhe asnjë çmim një marrëveshje që s’e garanton njohjen reciproke dhe anëtarësimin në OKB. Nuk lejoj Asociacion me kompetenca ekzekutive që krijon “Republika Srpska” dhe e defunksionalizon shtetin e Kosovës. Nuk lejoj as të diskutohen”, vijoi ai.

Një qendrim krejt të ndryshëm ka kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Edhe ai ka dhënë mbrëmjen e sotme një intervistë për një TV shqiptar. Duke folur në Ora Neës, kryeministri i Kosovës deklaroi se “ kushdo që shënon marrjen e njohjes nga Serbia me ndërrim territoresh ose me lëvizje kufijsh është armik i 17 Shkurtit dhe Kushtetutës”.