Serbia ka kryer gjenocid, spastrim etnik dhe terror në Kosovë. Kështu ka thënë presidenti i vendit Hashim Thaçi, në akademinë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të Masakrës së Izbicës.
Ai, ka thënë se Serbia ka kryer vrasje në Kosovë vetëm pse ne ishim shqiptarë, shkruan Gazeta Alo.
“Sot në 20 vjetorin e krimit të ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare të Serbisë kujtojmë masakrën e Izbicës ku u vranë 147 qytetarët të pafajshëm, civil vetëm pse ishin shqiptarë. Kujtojmë të gjithë martirët dhe viktimat e terrorit të shtetit të Serbisë. Në atë kohë njerëz të paarmatosur, pleq, gra, burra, fëmijë, të ri, të reja që u vranë gjithandej Kosovës ishin në përpjekje të tyre për mbijetesë dhe në të njëjtën kohë për liri dhe për çlirim. Kosova edhe sot dhe kurrë nuk do ti harrojmë krimet dhe luftën që ka kryer shteti i Serbisë”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi, tha se këto krime nuk do të harrohen asnjëherë.
“Para pak ditësh ishim në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, kudo varreza masive, kudo dhimbje por edhe lot të qëndresës por edhe në të njëjtën kohë të rilindjes. Shteti i Serbisë bëri spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, dëboi mbi 800 mijë qytetarë. Dogji dhe plaçkiti pasurinë e qytetarëve tonë. Asnjëherë nuk do të harrohen këto krime, këto masakra dhe ky gjenocid i shtetit të Serbisë. Sivjet Kosova shënon edhe 20 vjetorin e clirimit dhe kjo ditë nuk do të vinte pa luftën e drejtë të UCK-së, pa sakrificën e qyettarëve të vendit, nuk do të vinte pa heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari”, ka deklaruar ai.
Sipas presidentit lufta e popullit të Kosovës u përkrah nga shumë shtete të botës.
“Lufta e drejtë e popullit tonë u përkrah nga shtete më të fuqishme të botës, nga demokracitë perëndimore dhe SHBA-të. Liria dhe pavarësia e Kosovës themelet i ka të dëshmorët. Kosova është duke ecur ngadalë por sigurtë në anëtarësimin në NATO, BE duke ruajtur raportet e shkëlqyera me SHBA-të.
“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe këtë nuk do ta harrojmë, ani pse dikush në botë pretendon ta harrojë këtë”, ka thënë ai./Gazeta Alo/