Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale në Hagë.
Intervistimi nga ana e prokurorëve, sipas Thaçit, do të bëhet të hënën më 13 korrik.
“Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi. Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e presidentit të postuar në rrjetin social Facebook.
Me 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/4002272119843117?__xts__[0]=68.ARCn-T1IHc2Q_72cxfbK5y4j3Y6NNoNAaMXsbLAYdDQvC8U512HMzybU3L3p2HwMmvkOsGZPGcXQOunL7PI4Fnc-OedfetA9-VygCMx0iM-xi1M08z1sr0oN6ZE68Qkg9N6P1KismiFbgng1pDJe-N6g5bCVhqFHmuQm2YMV7JfJp_ozqhpmBRwcj-fMVctq_gX50pxIlZ561VZiSxGh_0I-GmDjXPokMIEnJHNMA53eTJCZqFdrXVDzUYT-iFXm4efsRAsbsWNWM1wp10rgREYFlmpiEFhyW81qRYiwprUHFVcC6WQm1Yu2lhyNVJkvYh5BlA2qc-5O_4W1a4seFw&__tn__=-R