Fjalë Kyçe

Thaqi tregon nëse do vazhdojë të jetë trajner i Malishevës, kërkon kushte për vazhdim të bashkëpunimit

Thaqi tregon nëse do vazhdojë të jetë trajner i Malishevës, kërkon kushte për vazhdim të bashkëpunimit

Malisheva për herë të parë në histori të klubit ka siguruar pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës.

Malisheva e mbylli edicionin 2020/21 si lider në Ligën e Parë grupi A, andaj u promovua në Superligë për edicionin e ardhshëm, shkruan lajmi.net.

Ndër më meritorët për këtë arritje është trajneri Arsim Thaqi, që i ka ndihmuar mjaftë shumë, klubit të vendlindjes.

Sidoqoftë, Thaqi për lajmi.net, ka konfirmuar se ende nuk ka arritur marrëveshje me klubin për vazhdim të bashkëpunimit.

“Nuk e di ende, besoj që këtë javë takohemi edhe një herë. Javën e kaluar kemi biseduar, por duhet të flasim sërish sepse ende nuk jemi marrë vesh nëse duhet me vazhdu”.

“Duhet krijuar kushte që për më vazhdu, duhet me pas kushte klubi sepse nëse nuk ka kushte atëherë do jetë shumë e vështirë. Sidomos tani që kemi hyrë në Superligë, duhet mobilizim më i madh, duke marrë parasysh se përvoja e Malishevës nuk është shumë e madhe, andaj kërkohet angazhim më i madh”.

Tutje, Thaqi gjithashtu theksoi se është gabim çfarë ka bërë klubi i Malishevës duke lëshuar disa lojtarë pa folur me të.

“E pashë që disa lojtarë i kanë lëshuar që është gabim për klube sepse duhet me bisedu së pari me trajnerin”, deklaroi ai për lajmi.net.

Ndërkohë, mbetet të shihet në javën e ardhshme nëse do arrihet marrëveshja me rinovim mes klubit dhe teknikut malishevas.