Në ditën e dytë dhe të fundit, Ministri Lluka qëndroi në Tokio të Japonisë ku u takua me zyrtarë të lartë shtetëror për të siguruar përkrahje për projekte të ndryshme zhvillimore, përfshirë termocentralin “Kosova e Re”.
I shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu, ministri Lluka takoi Yoshihiro Seki, Ministër Shtetëror për Ekonomi, Tregti dhe Industri dhe Deputet në Parlamentin Japonez, me të cilin diskutuan përkrahjen e Qeverisë Japoneze për projektin më të madh në historinë e Kosovës, ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Ministri Seki potencoi se ministria që ai drejton është duke e shikuar me kujdes zhvillimin e projektit dhe premtoj përkrahjen e plotë duke kuptuar situatën që gjendet Kosova ku burim të vetëm energjetik ka thëngjillin.
Për më tepër, në këtë takim u diskutua gjithashtu për forumin biznesor që do të mbahet në muajin shkurt në Kosovë në mes bizneseve vendore dhe atyre nga Japonia, forum ky i përkrahur edhe nga Qeveria Japoneze.
Me këtë rast, Ministri Lluka e informoi homologun e tij për përfitimet e kompanive japoneze nëse operojnë në Kosovë ku synim parësor kanë eksportin e produkteve në tregun evropian. Ndër të tjera, Lluka potencoi që fuqia e lirë punëtore, tatimet e ulëta në fitim dhe në të ardhura personale, taksa prej 0% për dividendë, pozicioni gjeografik i Kosovës që jep qasje të lehtë në tregun e Bashkimit Evropian, marrëveshja për tregti me BE e cila hap dyert në treg prej 600 milionë banorë dhe potenciali për të shfrytëzuar tokë publike deri në 99 vite ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për çdo investitor japonez që dëshiron të targetoj tregun evropian.
Gjatë ditës së sotme, delegacioni nga Kosova u prit në takime të veçanta gjithashtu nga Tadashi Maeda, Guvernatorë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC) dhe Masafumi Nakada, president i agjencisë shtetërore për sigurimin e eksporteve dhe investimeve (NEXI) me të cilët u diskutua mbështetja financiare në projektin e “Kosovës së Re”.
Qëllimi i takimit ishte për ti informuar këto institucione të rëndësishme rreth nevojave dhe sfidave të Kosovës për sektorin energjetik si dhe për të kërkuar mbështetje për projekte tjera në fushën e infrastrukturës.
Për më tepër, Lluka gjithashtu kërkoi mbështetjen financiare në projektet për menaxhimin e mbeturinave, kryesisht në riciklimin e mbeturinave dhe gjenerimin e energjisë elektrike dhe termike nga mbeturinat, projekt ky që do të rregullonte situatën e mbeturinave, deponive të mbeturinave dhe njëkohësisht, përveç një ambienti më të pastër, qytetarët do të përfitonin edhe energji të pastër me potencial të zgjerimit të kapaciteteve të ngrohtoreve të qyteteve më të vogla. Ky projekt zgjoi interesim tek Guvernatori Maeda ku edhe u pajtuam që projekti të vazhdoj të zhvillohet tutje.