Fjalë Kyçe

Thellohet kriza energjetike në Shqipëri

Thellohet kriza energjetike në Shqipëri

Kriza energjetike në Shqipëri vazhdon të thellohet për shkak të situatës së rëndë hidrike nga mungesa e reshjeve, ku për 6-mujorin e parë të këtij viti do të prodhohet 52% më pak energji se prodhimi mesatar shumëvjeçar për të njëjtën periudhë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas të dhënave zyrtare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH), gjeneruesi më i madh i energjisë në Shqipëri, në këtë vend, në 3-mujorin e parë të këtij viti në 3 hidrocentralet e kaskadës së Drinit që prodhojnë 65% të nevojave të Shqipërisë për energji elektrike, u prodhua 694 GWh energji, apo 1410 GWh energji më pak, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkaq, prodhim i ulët raportohet edhe në 3-mujorin e fundit të 2018-s, ku sipas bilancit të energjisë të publikuar nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) u prodhua 12.5% energji më pak se e njëjta periudhë e një vitit më parë.

“Situata hidroenergjetike, e krijuar si pasojë e kushteve të pafavorshme klimaterike pritet të ketë impakt të madh në gjenerimin e KESH-it, i cili në 6-mujorin e parë të këtij viti do të jetë rreth 1033 GWh ose 52% më pak se prodhimi mesatar shumëvjeçar për të njëjtën periudhë”, sqaron Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a KESH).