Fjalë Kyçe

Thirrja e dëshpëruar e mjekut italian: Jemi në emergjencë, s’kemi më personel shëndetësor

Thirrja e dëshpëruar e mjekut italian: Jemi në emergjencë, s’kemi më personel shëndetësor

Bergamo është qyteti më i prekur i Italisë nga covid-19. Nëpërmjet një video mesazhi, një mjek i spitalit Papa Giovanni 23, lëshon thirrje të dëshpëruar për ndihmë. Ai thekson nevojën urgjente të spitalit për infermierë, mjekë, respiratorë dhe mjete mbrojtëse. Në gjendjen e krijuar Papa Françesku i nxiti besimtarët të luten posaçërisht për ekipet mjekësore që trajtojnë pacientët me covid-19.

“Ne jemi në emergjencë të plotë,” thotë mjeku Stefano Fagiuoli nga spitali i Bergamo-s, një prej zonave të Italisë Veriore më të prekura nga koronavirusi. Nëpërmjet këtij video mesazhi, mjeku lëshon thirrje të dëshpëruar për ndihmë.

Prej ditësh, spitalet italiane janë në vështirësi për të trajtuar pacientët e prekur nga covid-19. Në spitale nuk kam mjekë për të përballuar fluksin e pacientëve apo pajisje për të trajtuar të shtruarit.

Stefano Fagiuoli, nga spitali kreu i Papa Giovanni XXIII, i bëri thirrje popullit italian të qëndrojë në shtëpi. Gjithashtu ai thekson nevojën urgjente të spitalit për infermierë, mjekë, respiratorë dhe mjete mbrojtëse.

“Unë kam dy mesazhe. Së pari, për popullin: ”Ju lutem qëndroni në shtëpi. Ne kemi nevojë për mjekë dhe infermierë, si dhe për respiratorët dhe mjete mbrojtëse. Organizatat joqeveritare po mbledhin para nëpërmjet platformës GoFundMe, ndaj nëse mundeni ju lutem na ndihmoni, nëse jeni personel shëndetësor jeni të mirëpritur të na bashkoheni për të luftuar koronavirusin. Faleminderit për atë që mund të bëni,” apelon mjeku.

Ndërsa numri i vdekjeve vazhdon të rritet, po kështu rritet edhe numri i arkivoleve që mbërrijnë në varreza dhe ashtu si sistemi shëndetësor, edhe varrezat janë në vështirësi të përballojnë fluksin.

Në gjendjen e krijuar Papa Françesku i nxiti besimtarët të luten posaçërisht për ekipet mjekësore që trajtojnë pacientët me covid-19. Mes të prekurve janë të paktën dhjetë klerikë.

“Unë i nxis besimtarët të kërkojnë mëshirën e Zotit dhe të luten posaçërisht për ata që janë në sporvë për shkak të pandemisë”, shtoi ai.

Italia ka raportuar rreth tremijë viktima dhe mbi 35 mijë të infektuar nga virusi vrasës.