Fjalë Kyçe

Tifozi amerikan i Arsenalit bën tatuazh Granit Xhakën

Tifozi amerikan i Arsenalit bën tatuazh Granit Xhakën

Një tifoz amerikan i Arsenalit, ka bërë një tatuazh special për futbollistin me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka.

Jack Robinson, ka bërë tatuazh numrin e fanellës së Xhakës (34) në këmbën e tij.

Kjo erdhi pasi Granit Xhaka e ftoi personalisht Robinsonin në ndeshjen e Arsenalit ndaj Manchester Cityt.

Ndërkohë, Xhaka e ka shpërndarë këtë fotografi në profilin e tij në Instagram.

Jack Robinson kishte fluturuar bashkë me gruan e vet nga Missouri në Londër, pasi e kishte aranzhuar udhëtimin për Angli gjashtë muaj më parë, për ta festuar 10-vjetorin e martesës.

Pasi e kishte humbur mundësinë ta shihte turin parasezonal të Arsenalit në Amerikë, për shkak se ishte anuluar, Robinson e kishte blerë një biletë për Anglinë me shpresën se do ta shikonte ndeshjen e Arsenalit kundër Wolves në Emirates Stadium.

Por atëherë kur ai dhe gruaja e tij kishin mbërritur në Londër, Premierliga njoftoi se ndeshja Arsenal – Wolves u shty për shkak të rasteve të shumta me koronavirus në këtë të fundit.

Xhakës i ra në sy shkrimi emocional i Robinsonit në rrjetet sociale dhe mesfushori shqiptar i Zvicrës vendosi ta kontaktojë amerikanin për ta ftuar në ndeshjen e ardhshme të Arsenalit kundër gjigantit Manchester City më 1 janar.

“Përshëndetje Jack, sapo mbërrita në shtëpi nga ndeshja dhe e pashë shkrimin tuaj në Twitter se ju dhe gruaja juaj keni udhëtuar nga Amerika për ndeshjen tonë kundër Wolves”, shkroi Xhaka në Instagram, përcjell syri.net

“E kuptova se ju u trishtuat për shkak të shtyrjes së ndeshjes, pasi kishit pritur shumë kohë për të ardhur për të na shikuar neve. Nëse jeni në Londër më 1 janar, (mund të vini) për ndeshjen Arsenal – Manchester City si mysafiri im, për t’iu falënderuar për përkushtimin tuaj ndaj Arsenalit. A do të ishte në rregull për ju?” i tha Xhaka atij.

Robinson iu përgjigj Xhakës duke e falënderuar për gjestin e mrekullueshëm: “Fjalët nuk mund ta përshkruajnë se si ndihem tani.. ju na kontaktuat neve… ju nuk mund ta kuptoni se çfarë do të thotë kjo për ne”.