Për Gazetën Express ai ka thënë se të njëjtën gjë e bën për çdo Kombëtare që vjen ta vizitojë Çekinë.
Për dallim të këtij tifozi, Çekia frikësohet se një numër i madh i tifozëve çekë mund të bëjnë thirrje kundër Kosovës, në mbështetje të Serbisë. Frika se mund të ketë thirrje politike në ndeshjen e sotshme e ka kapluar edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Çekisë, Martin Malikin.
“Do të doja t’u kërkoja të gjithë tifozëve të futbollit në Republikën Çeke të mos bëjmë thirrje apo veprime politike, ose pankarta në lidhje me Kosovën. Unë besoj që gjëja e fundit që e duam është të na hiqen pikë nga UEFA në Grupin A, që do të na kushtonte me kualifikim në EURO”, tha Malik.
Para dy vjetëve, kur Sparta Prague kishte luajtur në një ndeshje kualifikuese për Ligën e Evropës kundër Crvena Zvezdës, tifozët çekë dhe ata serbë ishin bashkuar kundër Kosovës. Kur serbët brohorisnin “Kosova”, në anën tjetër të stadiumit çekët përgjigjeshin “është Serbi”, ndërsa një pjesë e të pranishmëve në stadium duartrokiste.
Këtë shtator, kur Republika Çeke luajti në Prishtinë të Kosovës, policia i arrestoi tetë qytetas çekë – gjashtë burra dhe dy gra – para ndeshjes. Policia e kishte gjetur një dron, një flamur serb dhe një pankarta të madhe ku shkruhej “Kosova është Serbi”.
Në tentim për të shmangur situata të tilla në ndeshjen e së enjtes në Pilsen, Federata çeke ka vendosur që t’iu shesë bileta vetëm tifozëve që kanë nënshtetësi çeke. Tifozët do të duhet të kenë ndonjë mjet identifikimi kur të hyjnë në stadium.