Ndeshja Ballkani-Drita, ishte padyshim derbi më i madh i kësaj jave në BKT Superligën e Kosovës.
Vendasit fituan me rezultat 3-2, duke bërë një hap të madh drejt titullit kampion.
Por gjatë ndeshjes ishte një moment i rëndë, ku një tifoz pësoi sulm në zëmër në shkallët e stadiumit.
Mjekët e të dy skuadrave kanë vrapuar drejt tribunës, duke i dhënë ndihmën e parë.
Tifozi ka shpëtuar dhe është dërguar në emergjencën e Prizrenit, këtë e ka konfirmuar klubi i Ballkanit.
“Gjatë ndeshjes së sotshme kundër FC Dritës, një tifozi të klubit tonë i është përkeqësuar gjendja, por falë intervenimit të shpejtë nga mjekët e klubit tonë dhe klubit të FC Dritës, kanë arritur ta shpëtojnë nga më e keqja”.
“Stafi i klubit ka vizituar tifozin në emergjencën e Prizrenit dhe lajmi i mirë është se gjendja është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Klubi ynë tifozit në fjalë i dëshiron shërim të shpejtë”, thuhet në njoftimin e klubit përcjell telegrafi.
Më herët ka qenë edhe kryetari i FC Dritës, Valon Murseli, i cili ka folur për këtë rast.
Ndeshja ishte e bukur në fushë, pasi u shënuan pesë gola në pjesën e dytë.