Fjalë Kyçe

Toni i sportit, medaljeve dhe leximit – Të përbashkëtat e trajnerit Driton Kuka dikur dhe sot

Toni i sportit, medaljeve dhe leximit – Të përbashkëtat e trajnerit Driton Kuka dikur dhe sot

Driton Kuka, trajneri i Klubit të Xhudos “Ippon” nga Peja, ku tashmë pjesë e tij janë kampionët botëror dhe evropian si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora e Akil Gjakova, dashurinë për sportin në përgjithësi, si dhe atë të xhudos në veçanti e kishte shfaqur qysh në vitet e 80-ta, kur edhe e kishte paraqitjen e parë të tij në mediat e shkruara.

Është fjala për gazetën “Rilindja”, e cila asaj kohe ofronte hapësirën edhe për promovimin e talentëve të rinj, njëri prej të cilëve ishte edhe vet trajneri i tanishëm, Driton Kuka, që në Pejë njihet si Toni, i cili atëherë përpos që ishte nxënës i përkushtuar, dallohej edhe në sportin që sot e zotëron, madje duke u stolisur edhe me medalje.

Në gjurmimin tonë, kemi hasur se Toni ishte nxënës me pesa, i pëlqente leximi duke pasur madje edhe preferencat e tij ne veprat e shkruara, ndërsa qysh atëherë ishte edhe pjesë e ekipit të “Partizanit” të dikurshëm në kohën e ish-Jugosllavisë, duke marrë pjesë në turnetë e xhudos edhe jashtë qytetit ku jeton e deri tek medaljet e para atëherë.

Në shkollën fillore ‘Vëllëzërit Ribar’ të Pejës ka shumë nxënës të mirë.

Por në kësaj radhe veçuam Driton Kukajn që sapo ka filluar klasën e gjashtë.

Që nga klasa e parë në librezën e tij figurojnë vetëm pesat.

Përveçqë është nxënës shembullore, Dritoni është edhe lexues i pasionuar.

Ka lexuar më se 100 vepra, por përshtypje më të mirë i kanë lënë “Debatiku”, “Shtrepi i diellit”, “Lulja e shega” etj.

Ky vogëlush simpatik është edhe dashamirë i madh i sportit.

Është anëtarë i klubit “Partizani” të Pejës.

Në garat krahinore të xhudos, që u mbajtën në Ferizaj, u stolis me medalje të artë, si dhe mori mirënjohje të tjera.