Fjalë Kyçe

Torino-Juve një derbi që ofron spektakël

Torino-Juve një derbi që ofron spektakël

Torino-Juventus nuk është një sfidë dosido, pasi është derbi i një qyteti që futbollin e ka në zemër.

Nuk luajnë për të njëjtat objektiva por rivaliteti, futbolli spektakolar dhe përpalsjet e ashpra nuk mungojnë asnjëherë në këtë supersfidë. Sot në mbrëmje në stadiumin Olimpico të Torinos, skuadra Granata pret kampionët në fuqi dhe skuadrën që po dominon futbollin italian në këto 8 vite.

Mazzarri përballë Allegrit dhe ky është një duel që nuk duhet humbur. Ish trajneri i Interit do të kërkojë pikërisht t’i shkaktojë humbjen e parë kolegut të tij bardhezi në këtë sezon të Serie A edhe pse misioni parashikohet shumë i vështirë për Torinon që ndaj rivalëve të përjetshëm ka fituar vetëm 1 herë në 20 vitet e fundit, pikërisht në 2015-ën, me shifrat 2-1 në të njëjtin stadium. Belotti dhe Iago Falque janë më të motivuar se kurrë për të ndalur Ronaldon me shokë për të rihapur në një farë mënyre edhe kampionatin por pse jo edhe për t’iu afruar zonës Champions, pasi Torino është vetëm 4 pikë larg nga vendi i 4-t.

Cancelo, Bentancur, Cuadrado e Barzagli do të jenë mungesat e sigurta të Juves në këtë derbi, ndërkohë për Torinon Iago Falque është në dyshim por gjasat më të mëdha janë që të luajë. Java e 16-të e Serie A, hapet me duelin e San Siros, Inter-Udinese, një sfidë që zikaltrit duhet ta fitojnë me çdo kusht për të shëruar disi plagët e marra nga humbja me Juven dhe eliminini në Champions League.

Sezonin e kaluar Udinese i shkaktoi humbjen e parë në kampionat Interit të Spallettit dhe pikërisht ndaj bardhezinjëve mori udhë edhe kriza e zikaltërve që jo vetëm lëshuan kreun por deri në fund patën shumë luhatje në rezultate dhe vunë në diskutim kualifikimin në Champions League, transmeton SS.

Në këtë sezon Udinese që gjithashtu ka shumë probleme dhe pozicionohet në vendin e 17-të, ose mund të shërbejë si kthesa e Interit ose mund t’i zhysë zikaltrit në një krizë të thellë. Spalletti në këtë sfidë do të rikthejë në formacionin titullar dy lojtarët që nuk ishin të përfshirë në listën Champions, Gagliardinin dhe Joao Marion ndërsa Nainggolan do ta nisë nga stoli por mund të ketë pak minuta edhe për të.