Fjalë Kyçe

Trafikimi i qenieve njerëzore, kolaps shoqëror

Trafikimi i qenieve njerëzore, kolaps shoqëror

(Analizë ekonomike, politike, sociale lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore në Ballkan dhe konkretisht në Kosovë)

Ndër problemet sociale më të mprehta që kanë prekur shoqëritë e Evropës Lindore dhe Qendrore pas rënies së komunizmit, është trafiku njerëzor. Me gjithë masat që po merren për të luftuar këtë problem, nuk është bërë sa duhet në aspektin studimor për të kuptuar faktorët socialë, si: ndryshimet në tregun e punës, pabarazinë gjinore në këto shoqëri, që kanë çuar në përhapjen e këtij fenomeni. Zbulimi i këtyre faktorëve është i domosdoshëm në luftën kundër trafikut.

Karakteri çnjerëzor i trafikut të seksit po zgjon një angazhim gjithnjë e më të madh nga qeveritë dhe organizatat joqeveritare.

Lidhja e këtij fenomeni me zhvillimet sociale të periudhës pas-komuniste

Një ndër tiparet dalluese të shoqërive në këto vende, në 15 vitet e fundit, ka qenë ristrukturimi i tregut të punës dhe pabarazia sociale. Identifikimi i ndryshimeve sociale në shoqëritë pas-komuniste është hapi i parë në luftën kundër trafikut njerëzor.

Liberalizimi politik dhe ekonomik, si dhe militarizimi i brendshëm dhe ndërkombëtar krijoi struktura për mundësi të reja, por nga ana tjetër kufizoi alternativat ekonomike, gjë që ka sjellë si rezultat kërkesën dhe ofertën në “tregtinë e seksit” në Evropën Lindore dhe në rastin konkret në Kosovë. Ashtu si në forma të tjera të emigracionit të forcës punëtore, varfëria dhe mundësitë e kufizuara për punësim janë faktorët kryesorë në jetët e grave dhe fëmijëve që trafikohen me dëshirë të lirë ose jo.

Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë se ka një lidhje ndërmjet trafikut dhe rënies ekonomike që përjetoi Evropa Lindore pas rënies së komunizmit. Dy nga vendet kryesore, që shërbejnë si vende origjine në trafikun njerëzor, Moldavia dhe Ukraina, janë gjithashtu vende me të ardhura shumë të ulëta kombëtare. Gratë e ndiejnë më rëndë ndikimin e varfërisë dhe të mungesës së mundësive ekonomike. Për shembull, vende të Evropës Lindore dhe Qendrore kanë përjetuar rritje të ritmeve të papunësisë së grave nga viti 1995 deri në vitin 2000. Po ashtu, zhvendosjet në tregun e punës, në aspektin gjinor, kanë bërë që grave t’u ofrohen vetëm punë që paguhen më pak dhe janë të një natyre provizore.

Me daljen e bujqësisë nga sektori publik dhe me mungesën e teknologjisë, ky sektor është thuajse plotësisht i braktisur në Evropën Lindore, duke lënë shumë gra pa alternativa jetësore. Statistikisht, gratë dhe vajzat nga zonat rurale përbëjnë shumicën dërrmuese të viktimave të trafikut njerëzor.

Varfëria, veçanërisht në zonat rurale, është një faktor i pranishëm në nxitjen e këtij fenomeni. Siç rezulton nga statistikat, ekziston një lidhje e qartë ndërmjet ritmeve të varfërisë dhe nivelit të trafikut njerëzor.

Ndërkohë, duhet bërë dallimi ndërmjet trafikut njerëzor dhe prostitucionit. Shumë gra, të shtyra nga nevojat ekonomike, angazhohen me vullnet të lirë në “tregtinë e seksit”, pasi mundësitë e tjera nuk janë të mjaftueshme për të përballuar jetesën. Të tjerat, të ndjellë nga premtimet për një jetë më të mirë, largohen në drejtim të perëndimit në kërkim të punës ose për martesa me shtetas perëndimorë, por shpesh bien pre e rrjeteve trafikante. Në Europën Lindore, ku problemi i trafikut njerëzor është mjaft akut, gjatë viteve të fundit janë vërejtur prirje drejt militarizimit të këtyre shoqërive, qoftë si rrjedhojë e konflikteve ose e vendosjes së trupave të NATO-s dhe paqeruajtësve të OKB-së në këto vende.

Shumë studiues e shohin militarizimin si proces që ushqen trafikun. Ky fenomen e acaron më tej problemin e trafikut, prandaj qeveritë që kanë angazhuar trupa në forcat paqeruajtëse ose të NATO-s të tregohen shumë të rrepta ndaj shfaqjeve të tilla në radhët e ushtarëve.

Studimet e derisotshme mbi trafikimin janë të pjesshme. Ato janë bërë kryesisht si pjesë e projekteve, të cilat, nga ana e tyre, janë më shumë lokale dhe gjithnjë për një fushë konkrete veprimi, për një tematikë të dhënë. Pra, ende nuk ka një studim tërësor mbi trafikimin. Nga ana tjetër, studimet e derisotshme mbi trafikimin u referohen kryesisht viktimave të asistuar të trafikimit, pra, atyre që janë kthyer dhe janë pranuar nga qendra të posaçme psiko-sociale, të krijuara vitet e fundit në Kosovë dhe në vendet e Evropës Juglindore.

Por cila është panorama e trafikimit të grave dhe adoleshentëve në këto vende, si perceptohet ai, për nga përmasat dhe shkaqet, nga ç’zona vijnë të trafikuarit, cila është mosha dhe niveli arsimor, cilat janë format më të zakonshme të trafikimit, sa të informuar janë të rinjtë, nga duhet ta marrin ata informacionin, cilët janë faktorët që ndikojnë më negativisht në procesin e trafikimit?