Fjalë Kyçe

Trajneri Bulku dhe kapiteni Hysaj në konferencë për shtyp para ndeshjes me Andoran (VIDEO)

Trajneri Bulku dhe kapiteni Hysaj në konferencë për shtyp para ndeshjes me Andoran (VIDEO)

Trajneri i kombëtares Ervin Bulku ka dalë sonte në mbrëmje në konferencën për shtyp, i shoqëruar nga kapiteni Elseid Hysaj, një ditë përpara ndeshjes së dytë eliminatore për Euro2020 kundër Andorrës, që do të zhvillohet nesër në orën 20:45 në “Estadi Nacional”, shkruan Gazeta Alo.

Trajneri Bulku në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe kërkoi nga skuadra që të shikoj përpara:

“Unë jam pranë skuadrës dhe e njoh mirë grupin, ndaj edhe më takonte të marr një përgjegjësi të tillë, ndonëse jam një trajner i ri. Sfida me Andorrën është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të fitojmë nesër, që të mund të mendojmë për objektivin tonë. Eliminatoret sapo kanë filluar dhe kemi humbur vetëm ndeshjen e parë, ndaj të përqendrohemi te sfida e nesërme. Është përgjegjësi e madhe që më është ngarkuar, ndërsa detyra ime është që bashkë me çunat, të bëjmë më të mirën për të fituar ndeshjen ndaj Andorrës. Jemi munduar të harrojmë sa më shpejt atë humbje ndaj Turqisë. Mendoj se gjendja psikologjike është shumë e mirë dhe do të luajmë të bindur në suksesin nesër. Unë jam i ri dhe fati më solli në krye të Shqipërisë, ndaj kam bindjen e plotë te çunat, që nesër do fitojmë dhe unë ta nis me një rezultat pozitiv”.

Kapiteni Hysaj në fjalën e tij u shpreh se skuadra është shumë e përqendruar te ndeshja e nesërme dhe nënvizoi besimin që ai dhe i gjithë grupi kanë se kjo skuadër mund të shkoj larg:

“Nuk duhet të mendojmë shumë për trajnerin, pasi kemi një ndeshje shumë të rëndësishme që duhet ta fitojmë patjetër. Duhet të triumfojmë për moralin e Shqipërisë dhe për moralin tonë, ndaj të shohim përpara dhe të përqendrohemi te ky takim. Duhet të fitojmë edhe për të qëndruar brenda objektivave tona. Me njohjen që kam me çunat, jemi të gjithë me mendjen që këtë takim duhet ta fitojmë patjetër. Nuk duhet të mendojmë për asgjë tjetër, por vetëm për takimin e nesërm, të cilin duhet ta fitojmë patjetër. Kemi humbur vetëm një ndeshje dhe lufta vazhdon. Çunat janë në formë shumë të mirë, ndaj besoj që e kemi marrë veten edhe moralisht, dhe jemi gati të zbresim në fushë për fitore nesër. Andorra është një skuadër shumë e fortë dhe të gjitha skuadrat që luajnë ndaj saj, e kanë të vështirë ta mposhtin, gjë që e pamë edhe me Islandën. Ne kemi marrë të dhënat mbi kundërshtarin dhe shpresojmë që me trajnerin tonë, të gjejmë mënyrën për të marrë 3 pikët. Lideri i kësaj skuadre? Besoj që po, pasi çunat janë gjithmonë afër meje dhe unë pranë tyre. Unë besoj se jam dhe shpresoj se do vijoj të jem kapiten i klësaj Kombëtareje”, ka përfunduar kapiteni Hysaj. /Gazeta alo