Thomas Tuchel së fundi ka kërkuar nga gazetarët që të mos i bëjnë më pytje lidhur me konfliktin Ukrainë-Rusi, sepse ai tha se “ndihet keq dhe nuk është politikan”.
Trajneri i Chelseas është shfaqur sot në një konferencë për shtyp, para ndeshjes së nesërme ndaj Luton Town në Kupën FA.
Mirëpo, as ndaj tij nuk kanë munguar pyetjet lidhur me situatën në Ukrainë, pasi Rusia po tenton që ta pushtojë atë vend përmes luftës, shkruan Express.
Me të filluar pyetjet e gazetarëve rreth kësaj teme, Tuchel reagoi duke kërkuar nga ta që të mos i bëjnë këso pyetje.
“Dëgjo, dëgjo, dëgjo, duhet të ndalosh, unë nuk jam politikan. Duhet të ndaloni, sinqerisht, unë vetëm mund ta përsëris dhe ndihem keq ta përsëris sepse nuk kam përjetuar kurrë luftë. Ju duhet të mos më bëni më këso pyetje sepse nuk kam përgjigje për ju”, tha gjermani.
Gazetarët u përpoqën gjithashtu të pyesin Tuchelin për pronarin miliarder rus, Roman Abramovich, pasi ai njoftoi se kishte në plan t’ua dorëzonte Chelsean administratorëve të fondacionit bamirës të klubit, pasi atij iu ndalua hyrja dhe jetesa në Britaninë e Madhe.
“Është e tepërt për mua të përgjigjem. Nuk jam në dijeni të detajeve dhe të gjithë situatës. Ka situata shumë më të rëndësishme se futbolli, kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Situatat si lufta janë shumë më të rëndësishme”, ishte përgjigja e 48-vjeçarit.
Kujtojmë se fondacioni bamirës i klubit londinez ende nuk ka pranuar ta marrë nën drejtim klubin.