Fjalë Kyçe

Trajneri i Luganos habitet me Sadikun dhe e paralajmëron: Ai flet shumë, por gjithmonë…!

Trajneri i Luganos habitet me Sadikun dhe e paralajmëron: Ai flet shumë, por gjithmonë…!

Armando Sadiku u largua nga Levante pak ditë më parë, për t`u rikthyer sërish në Zvicër te Lugano, aty ku më herët ka luajtur dhe ka arritur majat e tij si futbollist.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, kaloi një vit zhgënjyes, teksa pas aventurës aspak pozitive te Legia e Varshavës në Poloni, kaloi te Levante në La Liga. Mirëpo këtu luajti vetëm gjashtë ndeshje, më pas erdhi një dëmtim në hundë e pas saj dëmtimi i kaviljes.

Gjithçka shkoi ters me pak fjalë. Gjashtë muaj u deshën që Sadiku të zbriste sërish në fushë, për të nisur stërvitjen me topin. Në krahun tjetër Lugano u hodh në sulm, pasi kuptoi që lojtari nuk do të gjente hapësira te Levante.

Negociatat shkuan mirë dhe Sadiku u transferua në një formë huazimi nga Levante te Lugano, por kjo e fundit në qershor do të ketë mundësi të blejë kartonin e lojtarit.

Tashmë Armando Sadiku ka nisur stërvitjen prej pak ditësh me klubin e tij të ri. Deri më tani gjithçka ka shkuar në mënyrë perfekte, teksa këtë gjë e ka pohuar dhe trajneri i Luganos, Fabio Celestini.

“Ai e di se ka ende nevojë për pak kohë, që të jetë vërtetë në 100% të formës së ti, por kjo vetëm në pikëpamjen e punës me topin dhe lojën me grupin, sepse fizikisht ai është plotësisht i gatshëm”-është shprehur trajneri i Luganos.

Ardhja e Sadikut ka krijuar disi mbipopullim në repartin e sulmit, por kjo nuk do të thotë që trajneri Celestini do të bëj përmbyjse të skemës, për t`i krijuar hapësira Sadikut.

“Ardhja e tij nuk do të ndryshojë idetë në lojën tonë. Armando ka karakteristika të ndryshme nga të gjithë sulmuesit tanë, është një komponent i rëndësishëm, që do të na ndihmojë shumë në sulm”-është shprehur trajneri.

Fabio Celestini, trajneri i Lugano, ka dhënë edhe disa konsiderata personale për Sadikun, duke u shprehur se ka mbetur i habitur me sjelljen e tij.

“Unë nuk e njihja personalisht dhe duhet të them se jam habitur pozitivisht. Përveç aspektit sportiv, ai ka një mirësi ekstreme, është gjithmonë i gëzuar dhe e transmeton atë në grup. Ai flet shumë, por gjithmonë për të motivuar grupin. Ndihem shumë mirë me të”-ka thënë trajneri.