Fjalë Kyçe

Trajneri slloven thotë se është pajtuar me FFK-në për ta udhëhequr Kombëtaren e Kosovës

Trajneri slloven thotë se është pajtuar me FFK-në për ta udhëhequr Kombëtaren e Kosovës

Trajneri slloven Primoz Gliha ka thënë se ka arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës për ta udhëhequr Kombëtaren e Kosovës në dy ndeshjet e fundit të saj këtë vit, pas shkarkimit të trajnerit Bernard Challandes.

Federata e Futbollit e Kosovës është në kërkim të një trajneri të ri, pasi i ndau rrugët me trajnerin zviceran Challandes javën e kaluar, pas humbjes së verdhekaltërve kundër Gjeorgjisë në ndeshjen e parafundit kualifikuese për Kupën e Botës 2022, raporton Gazeta Express.

Gliha, një ish-trajner i suksesshëm për një kohë të gjatë në krye të ekipit kombëtar U21 të Sllovenisë, është përmendur si pasues i mundshëm i Challandes.

Tani ai ka theksuar se do të marrë drejtimin e Kosovës përkohësisht të paktën.

“Është e vërtetë se unë jam pajtuar me drejtuesit e Federatës së futbollit të Kosovës për ta udhëhequr ekipin kombëtar për dy ndeshjet e nëntorit dhe bashkëpunimi ynë i mëtejmë është në duart e drejtuesve të Federatës së Kosovës, natyrisht”, tha Gliha për mediat sllovene.

Primoz Gliha, ish-trajner i Sllovenisë U21

Kosova do të përballet me Greqinë në ndeshjen e fundit të një fushate kualifikuese tejet zhgënjyese për Botërorin e Katarit në Athinë, si dhe një ndeshje miqësore me Jordaninë.

Në lidhje me atë se kush mund të emërohet trajner i ri i Kosovës pas nëntorit, Gliha shtoi: “I kam dëgjuar po ashtu disa emra të njohur në publik të cilët janë kandidatë (për trajner të Kosovës), por unë i shoh këto si thashetheme të zakonshme në futboll në raste të këtilla”.

Disa emra të mëdhenj janë përmendur për stolin e Kosovës gjatë këtij muaji, përfshirë Felix Magath, Ëalter Zenga dhe Roberto Carlos.

Kosova i humbi pesë prej shtatë ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022, duke e arritur vetëm një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e tjera nën udhëheqjen e Challandes.

Jo vetëm që i humbi shanset për kualifikim qysh herët, por Kosova tani rrezikon ta mbyllë grupin në vendin e fundit, ku edhe gjendet, kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në mbylljen e fushatës kualifikuese për Katar.

70-vjeçri ishte emëruar trajner i Kosovës në mars të vitit 2018 nga ish-presidenti i ndjerë i FFK-së dhe legjenda e futbollit shqiptar Fadil Vokrri.

Challandes ishte trajneri i dytë në historinë e ekipit kombëtar të Kosovës, pas Albert Bunjakit, që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016.