Fjalë Kyçe

Tre të akuzuarit për rastin “Brezovica 1” dënohen me 65 mijë euro

Tre të akuzuarit për rastin “Brezovica 1” dënohen me 65 mijë euro

Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj, janë dënuar me 65 mijë euro për veprën penale, “ndotje, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, për rastin Brezovica 1.

Marrëveshja e arritur mes palëve dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është bërë e ditur nga gjykatësi i kësaj çështje Ilir Bytyqi.

Sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, i akuzuari Blerim Imeri është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.

Po ashtu, i akuzuari Imeri është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro.

Ndërsa, i akuzuari Nasim Kelmendi, është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili me pëlqimin e të akuzuarit Kelmendi, u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E po ashtu, edhe dënimin me gjobë në shumë prej 10 mijë euro, të cilat do t’i paguaj në afat prej 30 ditëve.

Në këtë marrëveshje edhe i akuzuari Arian Idrizaj, është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve.

Dënim ky që me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro, në afatin ligjor prej 30 ditëve.

Idrizaj është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit edhe për drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro, të gjitha në afat prej 30 ditëve nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie.

Më 2 mars të 2023-ës, Policia e Kosovës, kishte arrestuar 14 persona për rastin “Brezovica”, gjatë një aksioni në katër komuna.