Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të premten se do të zhgënjehej nëse Korea e Veriut do të rifillonte testimin e armëve bërthamore.
Megjithatë presidenti Trump përsëriti se beson në raportin e tij të mirë me udhëheqësin e Koresë Veriore, Kim Jong-un, pavarësisht dështimit të samitit të tyre javën e kaluar.
“Unë do të isha i befasuar për të keq nëse ai do të bënte ndonjë gjë që nuk do të përkonte më mirëkuptimin tonë, por të shohim se çfarë do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të isha shumë i zhgënjyer nëse do të ketë testim”, tha më tej presidenti Trump.
Të mërkuren vëzhguesit thanë se imazhet e reja satelitore tregojnë se Koreja e Veriut po rindërton vendin për lëshimin e raketave.
Imazhet u morën disa ditë pasi bisedimet midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un përfunduan pa u arritur një marrëveshje për denekluarizimin e Koresë Veriore, njofton BBC.
Provat satelitore të disa organizatave amerikane tregojnë përparim të shpejtë në rindërtimin e strukturave në bllokun e lëshimit të raketave Sohae në Tongchang.
Sohae ka qenë struktura kryesore e nisjes së satelitit të Koresë së Veriut që nga viti 2012. Ajo gjithashtu është përdorur për testimin e motorëve për raketat e afta për të arritur në SHBA.